Berisha: Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç agjendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi
Një fjalim i ashpër dhe plot akuza tronditëse ka përfshirë debatin politik në vend, ku qeveria është akuzuar drejtpërdrejt për krijimin e "narkoshtetit të vetëm në Europë".
Deklaratat erdhën nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili nga foltorja e Kuvendit theksoi se prej 18 ditësh, mijëra qytetarë dhe të rinj kanë mbushur rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në një lëvizje të paprecedentë, historike dhe tërësisht paqësore.
Këto protesta masive përshkruhen si një reagim i pastër qytetar kundër një diktature autoritare që shkel të drejtat e njeriut, duke u distancuar kategorikisht nga çdo etiketim si lëvizje ekstremiste, fashiste apo antisemitiste.
DEKLARATA E BERISHËS
Zoti kryetar, në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por ato i kanë dëgjuar qytetarët dhe nuk është qëllimi pse e marr fjalën.
Qëllimi pse e marr fjalën është se gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra mijëra shqiptarëve të cilët kanë një axhendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, axhendë që u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian dje.
Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi.
Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi axhendës. Mendoj se ky është detyrimi absoluit i këtij parlamenti në mënyrë që të mos përfundojë edhe ky aty ku e meriton sa më shpejt.

