“The Odyssey” thyen çdo rekord para premierës, mijëra bileta shiten brenda pak orësh!

Filmi i ri i regjisorit të njohur Christopher Nolan, “The Odyssey”, po shndërrohet në një fenomen të vërtetë kinematografik edhe para daljes së tij në ekranet e mëdha. Edhe pse premiera zyrtare është ende një muaj larg, prodhimi ka vendosur tashmë rekorde të reja në shitjen e biletave në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Institucioni BFI IMAX në Londër, i njohur si ekrani më i madh i kinemasë në Britani, bëri të ditur se gjatë 24 orëve të para të shitjes janë shitur rreth 28 mijë bileta, duke gjeneruar afro 860 mijë euro të ardhura. Ky rezultat përbën rekordin e ri të shitjeve në ditën e parë për këtë kinema prestigjioze.
Entuziazmi i publikut u reflektua edhe në faktin se katër shfaqjet e fundjavës së premierës u shitën plotësisht brenda më pak se një ore. Mes tyre ishte edhe një shfaqje speciale në mesnatë, e cila do të hapë një maratonë projektesh 24-orëshe.
“The Odyssey” ka lënë pas edhe rekordet e filmave të mëdhenj të viteve të fundit. Të ardhurat e tij në BFI IMAX ishin më shumë se dyfishi i atyre të “Dune: Part Two”, që kishte gjeneruar rreth 420 mijë euro në 24 orët e para. Filmi tejkaloi gjithashtu edhe suksesin e “Oppenheimer”, i cili kishte arkëtuar rreth 290 mijë euro në të njëjtën periudhë.
Rekorde janë regjistruar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku biletat premium u hodhën në treg një vit para premierës. Brenda 24 orëve të para u shitën rreth 150 mijë bileta, duke gjeneruar afro 2.9 milionë euro të ardhura, rezultati më i lartë i katër viteve të fundit.
Kërkesa e jashtëzakonshme për filmin shkaktoi probleme teknike në platformat online të shitjes së biletave, me shumë përdorues që raportuan pritje më të gjata se një orë për të siguruar vendet e tyre.
Në kastin yjor të filmit bëjnë pjesë Matt Damon, Zendaya, Robert Pattinson, Tom Holland, Anne Hathaway, Lupita Nyong'o dhe Charlize Theron, duke e kthyer “The Odyssey” në një nga projektet më të shumëpritura të viteve të fundit.

