Berisha: E djathta shqiptare dhe ajo italiane ndajnë të njëjtat vlera themelore

Berisha: E djathta shqiptare dhe ajo italiane ndajnë të njëjtat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim në zyrën e tij, me personalitete të së djathtës italiane.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Berisha ndau detaje nga takimi me Fabrizio Tatarella, zëvendëspresident i Fondacionit Tatarella, që sipas tij është një figurë e shquar publike italiane.

“Pata kënaqësinë të pres në zyrë mikun e çmuar Fabrizio Tatarella, zëvendës President i Fondacionit Tatarella, një figurë e shquar publike italiane, i biri i të ndjerit Salvatore Tatarella, ish-eurodeputet dhe mik i shquar të Shqipërisë, si dhe nipin e Giuseppe ‘Pinuccio’ Tatarella, një prej figurave qendrore dhe arkitektëve të mëdhenj, së bashku me Silvio Berlusconin, të krijimit të qendrës së djathtë moderne e fituese në Itali”, shkruan Berisha,

Gjatë takimit, Tatarella shoqërohej nga kryetari i degës së Fratelli d’Italia per Shqipërinë, Massimiliano Adilardi dhe koordinatoret Neritan Alku dhe Ardit Minarolli.

Sipas Berishës, “Fabrizio Tatarella ndodhet në Tiranë për prezantimin e veprës së Giuseppe Tatarellës, “E djathta drejt së ardhmes”, një dorëshkrim i pabotuar më parë, me parathënie të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni”.

Berisha theksoi se në takim shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e familjes Tatarella në miqësinë tradicionale shqiptaro-italiane dhe për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe demokratëve shqiptarë.

“Diskutuam gjerësisht për situatën jashtëzakonisht të vështirë në të cilën ndodhet sot Shqipëria, për narkotrafikun dhe narkoekonominë, që përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për ekonominë, sigurinë dhe demokracinë në Shqipëri, por edhe për vendet mike të Bashkimit Europian, në veçanti Italinë.

“Theksova se Shqipëria dhe Italia janë dy vende të lidhura nga historia, kultura, miqësia dhe interesat e përbashkëta strategjike. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit, është jetik për sigurinë e qytetarëve shqiptarë, italianë dhe europianë”, shkruan Berisha.

Berisha nënvizoi më tej si i shprehu Tartarellës, bindjen se “e djathta shqiptare dhe ajo italiane ndajnë të njëjtat vlera themelore: lirinë, familjen, kombin, shtetin ligjor, ekonominë e lirë dhe Europën e fortë e të begatë”.

“Mirënjohje të veçantë për vizitën dhe për prezantimin në Tiranë të trashëgimisë politike të Giuseppe Tatarellës, një trashëgimi që mbetet aktuale për çdo forcë të djathtë që beson se politika duhet të jetë vizion, përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve”, theksoi ai.

EMISIONET