Bejko fushatë në Ali Dem: Veliaj do tu prishë shtëpitë e vjetra për oligarkët, urbani falas budallallëk
Prishja e banesave mbi 50-vjeçare ishte shqetësimi kryesore i banorëve në zonën e Ali Demit që ia shprehën kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko.
Ai u zotua se nëse fiton zgjedhjet, do ta bllokojë projektin që synon ndërtimin e kullave.
“VKM-ja që ka nxjerrë qeveria e ka bërë për analizë dhe do të vendoset rast pas rasti për banesat e vjetra. Kjo është një skemë e oligarkëve për të prishur banesat e qytetarëve sepse mbaruan hapësirat publike."
Ndërsa tha se Erion Veliajn është shërbëtor për të plotësuar dëshirat e oligarkëve.
“I thonë Eronit prish Teatrin, e prish ai, i thonë shko prish banesat te 5 maji, shkon i prish ai. I thonë bëje këtë rrugë dhe duam të fitojmë kaq, ia shumëfishojnë volumet rrugës.”
Kandidati i PD-së ironizoi edhe premtimin e rivalit të koalicionit "Bashkë Fitojmë", Belind Këlliçi.
“Transporti falas është budallallëk, është për efekt elektoral.”
Bejko kërkoi mbështetjen në 14 maj për programin e tij për t’i dhënë frymëmarrje Tiranës.