Balla “kyç gojën” për Ahmetajn, por komenton arrestimet e socialistëve të bashkive: PS s’është zyrë avokatie
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla teksa vlerësoi reformën në drejtësi, përsëriti qëndrimin e socialistëve për rastet e arrestimeve të kryebashkiakëve në vend. Rasti i fundit ishte arrestimi i kryebashkiakut të Bulqizës,
Ndërkohë, Balla foli me gjuhën e Ramës, duke shtuar se përgjegjësitë në politikë janë personale dhe jo partiake.
“E para, ka të bëjë me një pakt të gjithëpranuar, se reforma në drejtësi është më e rëndësishmja që ka ndërmarrë PS gjatë qeverisjes. Kemi ardhur në 2013-ën para shqiptarëve me qëllimin që duhet të ndryshonim mendësinë e drejtësisë, se para asaj janë të barabartë të gjithë.
Reforma në drejtësi ka ngritur institucione se po japin rezultate. Kur duhet të ngriheshin institucionet e reja, opozita ishte në çadër.
Opozita ka bërë përpjekje për të penguar procesin e vettingut, pasi pa bërjen e tij, nuk ngrihej dot SPAK. Nëse do hidhni një sy drejt vendit fqinj, Italisë, mund të shihni se çdo muaj ke një kryetar bashkie që ke raste të tilla.
Kjo është gjë që nuk ka të bëjë dhe s’ka koment nga ana jonë. PS nuk është zyrë avokatie për askënd. Përgjegjësinë përballë ligjin e ka përballë. Qoftë ai i kryetari i bashkisë së Bulqizës tani dhe ai i 2 viteve më parë, janë arrestuar nga SPAK. Në SHBA FBI shkon në shtëpinë e presidentit Biden. S’di që t’i thotë PS amerikane që; a mbani ju përgjegjësi se FBI bastis banesën e presidentit. Në politikë përgjegjësitë janë personale. PS ka vendosur një standard, që uroj dhe ua sugjeroj që ta ketë çdo politikan. Kryetari i bashkisë së Mallakastrës s’ka asnjë dënim apo vendim që mund ta penalizojë atë për të rikandiduar.”, tha Balla.
Por kreu i grupit parlamentar të PS-së, refuzoi të japë një përgjigje për Arben Ahmetajn, lidhur me kontrollet e BKH-së në banesën e ish-bashkëshortes dhe vilën e partneres aktuale.
“Unë i mbarova përgjigjet për sot, flasim javën tjetër. Do kemi të shtunën mbledhjen e Kryesisë, ku do prezantohet një vlerësim për secilën prej kandidaturave. Kandidati jonë do jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë, e për pasoja konsultimi duhet të jetë i gjerë. Deri ditën e shtunë do t’i kemi të gjithë gati. Armando Subashi është ndër më të mirët kryebashkiakë që kemi”, u shpreh Taulant Balla.