Tenderat “nën ethet” e zgjedhjeve/ Bashkia e Beratit i jep 392 mijë euro të njëjtës kompani

Bashkia e Beratit në muajin shkurt ka bërë dy tendera me vlerë 392 mijë euro për blerje asfalti dhe materiale inerte dhe fitues ka shpallur të njëjtën kompani. Në të dy prokurimet afati për t’u mbyllur punimet është brenda 6 muajve.

Ethet e zgjedhjeve mesa duket kanë kapur edhe kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo.

Institucioni që ai drejton në muajin shkurt ka mbyllur dy tendera për blerje asfalti dhe materialesh inerte dhe fitues ka shpallur të njëjtën kompani.

Në të dy prokurimet me vlerë 392 mijë euro, afati për t’u mbyllur punimet është brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës, pra punimet do të kryhen gjatë fushatës zgjedhore.

Në një prej tyre kanë marrë pjesë në garë 4 kompani dhe 2 prej tyre janë skualifikuar dhe fitues është shpallur subjekti “SHKELQIMI 07”, i cili kishte kërkuar sa 82% të vlerës së tenderit.

Nga subjektet e skualifikuara është edhe “BI Servis” i cili kishte kërkuar rreth 4 mijë euro më pak se kompania fituese, pasi sipas Bashkisë Berat, raport-testimi i materialeve është me korrigjime.

E njëjta metodw është ndjekur edhe në prokurimin për blerje materialesh inerte.

Nga 3 konkurrent që kishin marrë pjesë në garë, dy subjektet që kishin kërkuar më pak fond janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur sërish “SHKELQIMI 07”.

Në të, subjekti fitues ka kërkuar sa 99.9% të vlerës së tenderit për të realizuar punën.

Të dy prokurimet janë shënuar me flamur të kuq nga platforma Open Procurment me shënimin e skualifikimit të operatorëve konkurrues përveç fituesit.

tendera bashkia e beratit berati ervin demo

EMISIONET