"Më mirë të më kishin thënë të hapja krahun", çfarë deklaroi Lefter Alla nga kafazi në gjykatë, avokati: Do apelojmë

Gjykata Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rikonfirmuar masat e sigurisë arrest me burg për zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës, mes të cilëve kryebashkiakun Lefter Alla.

Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Nga 12 të pandehurit, vetëm dy prej tyre do të jenë në masën e arrestit të shtëpisë.

Gjatë zhvillimit të seancës në gjykatë u paraqit edhe një tjetër person, i cili ishte në masën e arrestit në burg për të cilën oficerët e policisë nuk e kishin realizuar.

Bëhet fjalë për juristin e bashkisë Leonard Daci, të cilit prangat iu vendosën në gjykatë.

Gjatë seancës kryebashkiaku Lefter Alla ka foluar nga kafazi i xhamit, ku është shprehur se akuzat e ngritura ndaj tij janë politike.

Madje duke e lidhur edhe me situatën zgjedhore, duke u shprehur se më mirë ti kishin thënë të hapte krahun.

Në të njejtën linjë ishe edhe avokati i Allës, Hysni Demiraj, i cili para mediave ka treguar se kryebashkiaku nuk ka gisht në këtë tender me vlerë 2.8 mln euro.

"Do të ndjekim rrugën ligjore, do të bëjmë ankim në Apel, ku të jetë për tu bërë. Skandali më i madh kur akuzohet për dy akuza. Nëse një shtetas shqiptar, i cili është zyrtar i shtetit, qoftë ky kryetar bashkie që i takon të gjykohet këtu, mund të ketë kryer një vepër penale të shkeljes së barazisë në tendera, në asnjë lloj rrethane nuk mund të akuzohet dhe për shpërdorim detyre. Të akuzosh për dy vepra penale vetëm që të bësh bujë, që ta mbash brenda, më duket e padrejtë. Ju garantoj që nuk ka ndërhyrë në një tender me 3 milion euro."

Sipas akuzave të Prokurorisë së Posaçme të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bërë të mundur që ndërtimin e Ujësjellësit ta fitonte bashkimi i operatorëve “Egland shpk” dhe “BE-IS shpk”, duke krijuar avantazhe për të.

Po ashtu dyshohet se punimet janë kryer nga “2AF Albania shpk”, me të cilën thuhet se kishte lidhje kryetari i Bashkisë Lefter Alla, duke shtuar se punimet realizoheshin nga i hetuari Aqif Konesha, i cili rezultoi lidhje e afërt e kryetarit të Bashkisë.

Në prokurim, nga pesë kompanitë pjesëmarrëse, u s’kualifikuan 4 prej tyre.

EMISIONET