Baçi publikon PAMJET: Myzeqeja nën ujë, qindra ha tokë të shkatërruara, fermerët, kërkojnë mbështetje urgjente

Lumenjtë Vjosë dhe Seman janë rikthyer gradualisht në shtratin e tyre, por pas vetes kanë lënë një situatë të rëndë për qindra familje fermere të Myzeqesë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi shkruan se, mbi 150 hektarë tokë bujqësore rezultojnë të dëmtuara nga përmbytjet, duke shkatërruar kultura dimërore, pemëtari dhe sera me prodhime që për këta banorë përfaqësojnë burimin e vetëm të të ardhurave.
Ndërkohë që zonat më të prekura presin ende një reagim institucional, fermerët deklarojnë se, janë të braktisur dhe të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe mungesa e verifikimeve në terren, duke kërkuar një herë e mirë mbështetje të drejtë dhe transparente.
POSTIMI I DEPUTETIT TË PD, LUAN BAÇI:
Lumenjtë Vjosë dhe Seman, janë rikthyer gradualisht në shtratin e tyre, por pas vetes kanë lënë qindra hektarë sipërfaqe toke, të dëmtuara, me kultura bujqësore të dimrit dhe pemëtari te dëmtuara dhe me humbje të konsiderueshme për shume familje fermerë.
Sipas verifikimeve paraprake në terren, janë mbi 150 hektarë tokë brenda argjinaturave të këtyre dy lumenjve që kanë pësuar dëmtime nga përmbytjet, nga këto vetëm ne Çerven janë rreth 80 hektarë toke e përmbytur!
Zonat më të prekura janë fshatrat Kallëm, Petove, Arapaj, Suk1, Belinë, Jagodinë, Kashisht, dhe Ferras.
Kanalet kulluese janë të mbushura dhe të pa pastruara prej vitesh, duke e rënduar ndjeshëm situatën dhe duke kërkuar një ndërhyrje urgjente.
Fermerët tregojnë se këto toka ishin të mbjella me grurë, elb, jonxhë, pras, si dhe sera me luleshtrydhe.
Dëme janë të shumta edhe te pemtaria, me ullinj, portokalle, mandarina dhe limona.
Të gjitha këto sipërfaqe janë marrë me ligjin 7501 dhe ndodhen brenda shtratit të lumenjve, çka i ka ekspozuar më shumë përmbytjeve.
“Dëmet janë të mëdha, nuk dimë si do t’ia dalim”, shprehen fermerët, të cilët ndihen të braktisur në një moment kur presin më shumë mbështetje.
Asnjë përfaqësues i qarkut, apo institucioneve përgjegjëse, nuk ka ardhur për të parë e verifikuar situatën në terren.
Banoret shprehen se janë te lodhur nga premtimet dhe se dëmshpërblimet, edhe në vitet e mëparshme, kanë qenë selektive dhe të padrejta.
“Nuk shpresojmë të marrim asgjë… çdo vit e njëjta histori”, thonë ata të zhgënjyer.
Në pritje të reagimit institucional, fshatrat e përmbytura vazhdojnë të përballen me pasojat e një situate që, sipas tyre mund të ishte shmangur me mirëmbajtje të rregullt të kanaleve kulluese dhe argjinaturave.
Ju bej thirrje institucioneve përgjegjëse, te bëjnë verifikimet e duhura ne terren, pa selektime dhe me vërtetësi, t’ju vijnë ne ndihme fermerëve te ndershëm dhe punëtor te Myzeqesë, pasi është djersa dhe mundi i tyre i shume viteve dhe pa asnjë ndihme, apo subvencion nga shteti i bere njësh me korrupsionin qe ka kap çdo, institucion dhe kulmon te KM me i korruptuar dhe i pakrahasueshëm ne çdo kohe dhe për çdo vend!


