GJURMIM I PASURIVE TË KRIMIT/ Goditja e aseteve të krimit, prioritet i takimit në Belgjikë Çela–Dumani–Fransen

Shqipëria dhe Belgjika po forcojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar, duke vënë në qendër sekuestrimin e pasurive kriminale. Për këtë qëllim drejtuesi i SPAK e Prokurorisë së Përgjithshme, u takuan me homologët belgë, ku diskutuan çdo hapësirë ligjore për të qenë efikasë

Forcimi i bashkëpunimit në hetimet kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë tek sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale në Shqipëri dhe Belgjikë, ishte në qendër të takimit mes drejtuesve të prokurorive shqiptare dhe atyre belge.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i SPAK-ut Altin Dumani zhvilluan në Bruksel një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës, Ann Fransen, e cila një vit më parë vizitoi Tiranën.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e efikasitetit të legjislacionit antimafia dhe në mekanizmat e përbashkët për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të subjekteve të hetuar apo të dënuar në të dy shtetet.

Palët theksuan se goditja e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale mbetet mjeti më i rëndësishëm për të çmontuar aktivitetet e tyre.

Një nga dosjet më të bujshme që ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë është ajo e goditjes grupit Çopja dhe rrjeve të trafikut ndërkombëtare të drogës, ku në përbërje janë konfirmuar edhe shqiptarë.

Autoritetet belge kanë dokumentuar përfshirjen e shqiptarëve në trafik droge, laboratorë përpunimi, pastrim parash dhe investime të fshehura në pasuri të paluajtshme.

Këto çështje u kthyen në shembull të domosdoshmërisë për shkëmbim të shpejtë informacioni dhe koordinim të hetimeve financiare.

Në takim u trajtuan gjithashtu hetimet financiare, pastrimi i parave, përdorimi i kriptomonedhave në veprimtari kriminale, si dhe ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore për çështjet ndërkufitare.

Sipas njoftimit zyrtar, u diskutuan edhe aspektet e ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe shkëmbimin e letër-porosive.

Takimi u mbajt në vijim të marrëveshjeve të mëparshme të bashkëpunimit dhe konsultimeve të zhvilluara një vit më parë në Tiranë.

Të dyja palët vlerësuan pozitivisht rezultatet e arritura deri tani dhe nënvizuan domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit, me synim goditjen e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin Shqipërinë dhe Belgjikën.

EMISIONET