Amnistia Penale, Karametaj: Nuk ka ndërhyrje tek Drejtësia, bazohet tek mëshira

Komisioni për Sigurinë Kombëtare votoi sot në parim dhe nen për nen ndryshimet në projektligjin “Për Dhënie Amnistie”.

Gjatë punimeve në komisionin për Sigurinë Kombëtare, Enkelejd Alibeaj, deputet i Partisë Demokratike artikuloi edhe njëherë qëndrimet e tij mbi këto ndryshime ligjore, ndërsa parashtroi amendamentet e Partisë Demokratike, ku kërkohet që pjesë e amnistisë të jenë dhe të proceduarit dhe të dënuarit, pasi morën pjesë në protestat e opozitës.

Alibeaj po ashtu kërkoi që amnistia të mos përdoret politikisht, por të jetë një akt mëshire dhe që mundëson përmirësimin e kushteve të të dënuarve në burgje, pasi sot Shqipëria vuan nga mbipopullimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit penal.

“Nuk jemi këtu për të bërë pazar. Jemi të qartë dhe për çështjen e mbipopullimit. Unë e kuptoj fare mirë që një nga motivet për të miratuar një ligj të amnistisë është dhe ulja e numrit, që kushtet për të dënuarit të jenë më komode.

Parlamenti duhet të jetë i kujdesshëm përpara miratimit të një ligji të tillë, pasi me një ligj të tillë ndërthuret puna e Kuvendit me punët e drejtësisë”, tha Alibeaj.

“Këto nisma ligjore janë një ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, në punët e drejtësisë. Duhet të mos ketë influenca të natyrës politike në produktin e sistemit të drejtësisë.

Ajo që duhet të na udhëheqë është akti i mëshirës, dhe jo si akt për t’ia hedhur drejtësisë. Prandaj ky është kriteri që do duhet të mbizotërojë gjatë logjikës dhe veprave penale që duhen amnistuar”, tha Alibeaj.

Zv.ministri i Drejtësisë Klajd Karametaj, u shpreh se institucioni që ai drejton mirëpret çdo kërkesë që paraqitet dhe vjen nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare.

“Ministria e Drejtësisë ka dashamirësinë për ta parë pozitivisht çdo kërkesë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Në princip i përgjigjem pozitivisht të gjitha konsideratave të paraqitura nga Alibeaj, pasi është e vërtetë që në drafte të tilla duhet mënjanuar përfshirja e politikës tek drejtësia, qoftë nga legjislativi, qoftë nga ekzekutivi.

Prandaj dhe nenet që kemi përzgjedhur në këtë projektligj lidhen me këtë parim, të mëshirës”, tha Karametaj.

Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço pyeti përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë nëse do ishin dakord që amnistia të shtrihej me nga një vit për meshkujt e femrat, për të gjitha llojet e veprave penale.

“A do ishit dakord të jetë 5 vite për gratë dhe 4 vite për meshkujt për të gjitha veprat penale?”, u shpreh ai.

Elsonida Rama, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë u shpreh se produkti i ardhur në komision ka ardhur si rrjedhojë e një analize dhe llogaritje të imtësishme. “Ne kemi bërë analizat tona, por nëse ju mendoni se duhet të shtohet  kjo që thoni ju, ne s’kemi çfarë të themi”, tha Rama.

EMISIONET