Nxjerrja e sekretit në lidhje me një hetim të përbashkët të policisë gjermane dhe asaj shqiptare është bërë shkak për pezullimin e nëndrejtorit të operacionit “Forca e Ligjit” në policinë e shtetit Artan Shkëmbi. Numri dy i kësaj strukture po hetohet edhe për akte korruptive ndërkohë që SPAK ka kërkuar pezullimin e tij nga detyra me qëllim që ai të mos dëmtonte provat dhe të mos ndikonte në hetim.

Zv.drejtori i operacionit Forca e Ligjit në Policinë e Shtetit, Artan Shkëmbi është pezulluar nga detyra pas fillimit të hetimeve ndaj tij me akuzën për akte korruptive dhe nxjerre të sekretit hetimor. Mësohet se hetimet ndaj zyrtarit të lartë të policisë kanë nisur pas një denoncimi të bërë ndaj tij për ekspozimin e të dhënave në lidhje me një aksion të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane.

Shkëmbi, i cili në shkurt të këtij viti kaloi vettingun në polici, punoi si drejtor në Drejtorinë Qendrore të Departamentit të Policisë Kriminale. Pas hetimeve të para dhe provave të mbledhura në rrugë operative, SPAK ka analizuar dosjen dhe ka arritur në përfundimin se zyrtari i lartë duhej pezulluar nga detyra në mënyrë që të mos ndikonte në procesin e hetimit ndaj tij.

Për këtë arësye SPAK i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të Artan Shkëmbit. Pas verdiktit të dhënë nga togat e zeza Policisë së Shtetit i ka mbetur vetëm detyrimi për zbatimin e vendimit të gjykatës duke larguar nga detyra Artan Shkëmbin, i cili ka qenë edhe kandidat për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të hetimit por u skualifikua gjatë garës.

Më 27 shkurt 2020 Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e nxori të pastër Artan Shkmbin në të tri kriteret e vettingut në polici, duke evidentuar faktin se oficeri ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Vetë oficeri i lartë i policisë pranoi se ka qenë pjesë e sigurimit gjatë periudhës së shkollës, por pretendoi se nuk ka patur rol vendimmarrës.

Artan Shkëmbi është dhe në listën e zyrtarëve të denoncuar nga Partia Demokratike të cilët duhet të largohen nga radhët e policisë së shtetit, për shkak të pjesëmarrjes në ish strukturat komuniste.

Lexo dhe: Ne vend te tij u emërua Hekuran Bregu

Lexo edhe: Vettingu në polici, shkarkohet nga detyra shefi i sigurisë në SHÇBA