Labinot Tahiri merr një vendim që prek zemrat: Nga sot e tutje, fitimet e mia nga koncertet do t’i ndaj për Roelin, djalin e Shpat Kasapit

Një gjest i rrallë human ka prekur zemrat e mijëra njerëzve. Këngëtari Labinot Tahiri ka bërë të ditur se nga kjo verë e në vazhdim do të ndajë nga 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë për Roelin, djalin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi.
Përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, Labi tregoi se Shpat Kasapin e kishte mik dhe koleg prej vitesh, ndërsa familjen e tij e kishte ndihmuar edhe më herët. Megjithatë, këtë herë ai vendosi të marrë një angazhim afatgjatë, duke premtuar se për aq kohë sa Zoti do t’i japë mundësinë të këndojë, do të kontribuojë financiarisht për shëndetin dhe jetën e Roelit.
“Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij”, shkruan ai.

Labi thekson se gjithçka do të bëhet në mënyrë transparente dhe e deklaruar, ndërsa shumat do t’i dërgohen nënës së Roelit, Selvies, e cila kujdeset për të birin.
Në mesazhin e tij ai u bën thirrje edhe kolegëve artistë që ta kujtojnë Shpat Kasapin jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
“Ende ia këndojmë këngët, e kujtojmë me mall dhe flasim për të. Por, përveç fjalëve, ta tregojmë dashurinë edhe me vepra. Ta ndihmojmë familjen e tij sa herë të kemi mundësi. Besoj se kjo është dhurata më e bukur që mund t’ia bëjmë kujtimit të Shpatit”, shprehet ai.
Shpat Kasapi ndërroi jetë në nëntor të vitit 2025 në moshën 40 vjeçare, gjatë qëndrimit në Itali. Lajmi tronditi mbarë shqiptarët, ndërsa familja sqaroi se këngëtari humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak. Në atë periudhë ai ndodhej në Itali së bashku me ish bashkëshorten dhe djalin e tyre, Roelin.
Ikja e tij e parakohshme la pas jo vetëm një karrierë të suksesshme muzikore me dhjetëra hite të dashura për publikun, por edhe djalin e tij të vogël, për të cilin tashmë shumë artistë kanë zgjedhur të bëhen një mbështetje.
Përveç Labinot Tahirit, ai përmendi edhe emra të tjerë të njohur si Ermal Fejzullahu, Big Mama, Burak Vehapi, Pandora, Labi Gashi dhe shumë artistë e bashkatdhetarë të tjerë që, sipas tij, kanë qenë pranë familjes së Shpat Kasapit dhe kanë ofruar ndihmën e tyre.
Një premtim që nuk flet vetëm për bujari, por edhe për miqësi, respekt dhe përpjekjen që djali i një artisti të dashur të mos ndihet kurrë vetëm.


