NGJARJA NË ELBASAN/ Tre të rinjtë e pl*gosur lënë spitalin, dalin DETAJET e reja. Oficeri jashtë shërbimit ndoqi autorin, gjendet a*ma e krimit

Tre të rinj mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, ndërsa policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, tre të plagosurit u larguan vetëm pak orë më vonë dhe u kthyen në banesat e tyre.

Bëhet fjalë për Bjorgi Hoxhën, 19 vjeç, Armand Tomorricën, 32 vjeç dhe Renaldo Mancen, 31 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka marrë një plagë të lehtë në shpatull, një tjetër është dëmtuar në këmbë, ndërsa i treti ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi.

Në vendngjarje, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur gjatë sulmit.

Hetimet janë përqendruar te zbardhja e motivit dhe dinamikës së plotë të ngjarjes. Grupi hetimor ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve përreth, ndërsa tre të plagosurit janë marrë në pyetje për të rindërtuar momentet para dhe pas të shtënave.

Një detaj i rëndësishëm i hetimit është prania e një oficeri policie jashtë shërbimit në ambientet e lokalit në momentin e sulmit. Pas dëgjimit të krismave, ai ka dalë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është gjetur dhe sekuestruar nga policia si provë materiale. Megjithatë, ai ka mundur të largohet në rrugicat e lagjes dhe ende nuk është lokalizuar.

Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë kryer kontrolle në zonë, ndërsa operacioni për kapjen e autorit vijon. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale për sulmin me armë.

EMISIONET