Ish-modelja rrëfen si u njoh me Jeffrey Epstein: Mendova se po shkoja në një intervistë pune por...

Roza Gilles, ish-modelja nga Uzbekistani, ka vendosur të flasë publikisht për përvojën e saj të dhimbshme, duke pretenduar se u abuzua seksualisht nga Jeffrey Epstein për disa vite.
Në një intervistë për CNN, Gilles tregoi se ishte vetëm 18 vjeçe kur mbërriti në Shtetet e Bashkuara me shpresën për të ndërtuar një karrierë në botën e modës. Ajo tha se në vitin 2009 besonte se po shkonte në një intervistë pune për një pozicion recepsioniste, por takimi, sipas saj, u kthye në një situatë traumatike.
Gilles pretendon se pas mbërritjes në zyrën ku ishte thirrur, ajo u përball me Epstein dhe një mjedis që nuk e kishte pritur. Sipas rrëfimit të saj, aty nisi një periudhë abuzimi që zgjati për vite.
Ajo tregoi se në atë kohë nuk e dinte historinë ligjore të Epsteinit dhe se ai po vuante dënim për vepra seksuale ndaj të miturve, por për shkak të një marrëveshjeje me drejtësinë amerikane ai kishte mundësi të largohej nga burgu gjatë ditës.
Sipas Gilles, ajo kishte mbërritur në SHBA përmes agjentit të modeleve Jean-Luc Brunel dhe pretendon se vajzat e reja përballeshin me borxhe dhe presione që i bënin më të cenueshme ndaj situatave abuzive.
Ish-modelja rrëfeu gjithashtu një moment kur, sipas saj, pa një efektiv policie brenda rezidencës së Epsteinit dhe mendoi se më në fund do të merrte ndihmë, por pretendon se askush nuk ndërhyri.
“Mendova se gjithçka do të merrte fund, por atëherë kuptova se askush nuk do ta ndalonte”, u shpreh ajo.
Pas disa vitesh, Gilles arriti të largohej nga ai mjedis, krijoi një jetë të re dhe sot punon si trajnere fitnesi. Ajo tha se për një kohë të gjatë e mbajti historinë të fshehtë, por vendosi të flasë pasi dokumente të publikuara zbuluan identitetin dhe komunikimet e saj.
“Gjërat që ai më bëri më kanë lënduar thellë dhe kanë lënë plagë që nuk besoj se do të shërohen plotësisht”, deklaroi ajo.
Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg federal në SHBA, ndërsa çështja e tij ka vazhduar të shkaktojë debate të shumta për viktimat, hetimet dhe personat e lidhur me rrjetin e tij.




