Land Rover prezanton Range Rover GT/ Modeli i ri luksoz elektrik me stil grand tourer

Land Rover prezanton Range Rover GT/ Modeli i ri luksoz elektrik me stil grand

Land Rover ka prezantuar modelin e ri Range Rover GT, një automjet që sjell një qasje të re në gamën e markës britanike, duke kombinuar luksin tradicional të Range Rover me një stil më sportiv dhe më të ulët.

Pavarësisht ngjashmërisë në emër dhe përmasa, modeli i ri nuk është një zëvendësim për Range Rover Velar, por një anëtar i ri i familjes Range Rover.

Si një grand tourer, Range Rover GT largohet nga forma klasike e SUV-ve, duke ofruar një siluetë më të afërt me një vagon sportiv. Modeli është më i madh se Velar dhe ka përmasa që afrohen me Range Rover Sport, ndërsa dallohet nga vija e çatisë e pjerrët dhe qëndrimi më dinamik.

Automjeti i ri bazohet në platformën e re EMA të Land Rover, ndërsa në fazën e parë do të ofrohet si model tërësisht elektrik. Kompania ka bërë të ditur se më vonë mund të shtohet edhe një version hibrid.

Land Rover ende nuk ka publikuar të gjitha të dhënat teknike, por karakteri i tij si një makinë më shumë për rrugë sugjeron se GT nuk do të ketë të njëjtat aftësi jashtë rruge si modelet tradicionale të Range Rover.

Në pjesën e jashtme bien në sy dyert pa kornizë, ndërsa kabina sjell një dizajn krejtësisht të ri krahasuar me modelet aktuale të markës. Brendësia është konceptuar për të ofruar një ndjesi qetësie dhe luksi, me përdorim të reduktuar të butonave fizikë, por pa e mbushur panelin me ekrane.

Range Rover GT do të ofrohet me konfigurim 2+2 vende, ku dy pasagjerët e pasëm kanë një konsolë qendrore me mbajtëse gotash, karikim pa tel, mbështetëse krahu dhe ekran për kontrollin e klimës dhe funksioneve multimediale. Për ata që kërkojnë më shumë praktikë, do të jetë në dispozicion edhe një konfigurim me tre vende në pjesën e pasme.

Modeli përfshin gjithashtu një çati panoramike prej xhami dhe hapësirë të madhe për këmbët e pasagjerëve. Sipas pamjeve të publikuara, ekrani i instrumenteve tregon një autonomi prej rreth 288 miljesh me 80% të baterisë së mbetur, por shifrat zyrtare priten të publikohen më vonë.

Kabina kombinon teknologjinë moderne me disa kontrolle fizike, ndërsa sistemi i klimës është integruar në ekranin qendror.

Land Rover e përshkruan Range Rover GT si modelin më të qetë të prodhuar ndonjëherë nga marka, i krijuar për të ofruar një përvojë luksoze dhe komode në udhëtime të gjata.

EMISIONET