“Zero ndikim nga përçarjet”/ Berisha thirrje demokratëve: Të mobilizohemi për protestat kundër qeverisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të opozitës për protestat kundër qeverisë. Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PD, Berisha u ndal te aksioni opozitar dhe kundërshtoi çdo përpjekje për të dobësuar pjesëmarrjen në tubime.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të mbështesin protestat, duke i cilësuar ato si një betejë politike kundër qeverisjes aktuale.

Sipas Berishës, përpjekjet për përçarjen e opozitës nuk kanë sjellë rezultat dhe nuk do të ndikojnë në vijimin e protestave.

“Zero ndikim nga sloganet e ekstremistëve të majtë apo opozitarëve të opozitës. Asnjë pengesë nuk mund të ndalojë këtë protestë. Ata që kërkojnë ta përçajnë opozitën, në fakt bëjnë punën e Edi Ramës.”-tha ai.

Berisha u kërkoi anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së të rrisin angazhimin në protestat e ardhshme, duke thënë se opozita duhet të qëndrojë e bashkuar përballë qeverisë.

“Do bëni çdo gjë për të mobilizuar të gjithë mbështetësit dhe anëtarësinë tonë, për ta mbështetur këtë protestë në mënyrën më të fuqishme. Nuk duhet të harrojmë kauzën që mbron kjo protestë.”-u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, kryedemokrati e lidhi aksionin opozitar edhe me reformën territoriale.

Ai vlerësoi punën e deputetit Luçiano Boçi dhe anëtarëve të tjerë të PD-së në komisionin për reformën territoriale, duke e cilësuar angazhimin e tyre si serioz dhe në mbrojtje të interesit qytetar.

 

EMISIONET