Rrjedhin specifikat dhe çmimet e Galaxy Watch9 dhe Watch Ultra 2 para prezantimit zyrtar të Samsung

Rrjedhin specifikat dhe çmimet e Galaxy Watch9 dhe Watch Ultra 2 para

Samsung pritet të prezantojë sot në eventin Galaxy Unpacked në Londër gjeneratën e re të pajisjeve të saj, përfshirë edhe orët inteligjente Galaxy Watch9 dhe Galaxy Watch Ultra 2.

Por, përpara zbulimit zyrtar, në internet kanë dalë specifikat e plota dhe çmimet e modeleve të reja, duke zbuluar detaje mbi performancën, ekranet dhe funksionet e tyre.

Sipas informacioneve të rrjedhura, të dy modelet do të fuqizohen nga çipseti Snapdragon Wear Elite, i shoqëruar me 2GB RAM. Galaxy Watch9 pritet të ketë 32GB hapësirë ruajtjeje, ndërsa Watch Ultra 2 do të ofrojë deri në 64GB memorie të brendshme.

Galaxy Watch Ultra 2 thuhet se do të vijë me një ekran AMOLED 1.52 inç, me ndriçim maksimal deri në 5000 nit, ndërsa Galaxy Watch9 do të jetë në dy variante madhësie.

Modeli 40 mm pritet të ketë ekran 1.34 inç, ndërsa versioni 44 mm një ekran 1.47 inç, të dy me ndriçim deri në 3000 nit. Pajisjet pritet të përdorin mbrojtje me kristal safiri.

Sa i përket baterisë, Galaxy Watch Ultra 2 mund të ketë një kapacitet prej 800mAh, ndërsa modelet Galaxy Watch9 pritet të kenë bateri prej 390mAh dhe 445mAh, në varësi të madhësisë.

Orët e reja do të mbështesin karikimin e shpejtë pa tel dhe pritet të pajisen me sensorin BioActive të Samsung, sensor temperature, barometër dhe sensor gjeomagnetik.

Në aspektin e softuerit, seria e re pritet të funksionojë me One UI 9 Watch, bazuar në Wear OS 7, ndërsa lidhjet do të përfshijnë LTE, Bluetooth 6.0, Wi-Fi me dy banda, NFC dhe GPS.

Për rezistencën ndaj ujit dhe pluhurit, Galaxy Watch9 pritet të ketë certifikimet IP68 dhe 5ATM, ndërsa Galaxy Watch Ultra 2 mund të ofrojë mbrojtje më të avancuar me IP69K dhe 10ATM+.

Sipas rrjedhjeve, çmimi i Galaxy Watch9 pritet të nisë nga 409 euro për modelin 40 mm me Bluetooth, ndërsa versioni LTE mund të kushtojë 459 euro. Varianti 44 mm me Bluetooth mund të jetë rreth 439 euro, ndërsa ai LTE rreth 489 euro.

Ndërkohë, Galaxy Watch Ultra 2 pritet të vijë vetëm në variantin LTE dhe të ketë një çmim rreth 749 euro.

Samsung pritet të konfirmojë zyrtarisht të gjitha detajet gjatë prezantimit të sotëm.

EMISIONET