Studimi: Vaksina ul ndjeshëm fatalitetet nga virusi HPV dhe tumori i qafës së ...

Një studim i ri i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka nxjerrë rezultate shumë premtuese për luftën kundër kancerit të qafës së mitrës, duke treguar se vaksina kundër virusit HPV mund të ulë pothuajse në zero rrezikun e vdekjes tek gratë e reja.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore The Lancet, janë analizuar të dhënat e grave të moshës 20 deri në 34 vjeç gjatë periudhës 2001–2024.
Tek grupmosha 20–24 vjeç, ku rreth 90% e grave kishin marrë vaksinën në moshën 12–13 vjeç, nuk është regjistruar asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës për pesë vite radhazi. Edhe tek grupmosha 25–29 vjeç është vërejtur ulje e ndjeshme e vdekshmërisë, ndërsa tek gratë 30–34 vjeç, ku vaksinimi ka qenë më i ulët, është shënuar reduktim rreth 63%.
Studiuesit theksojnë se vaksina funksionon duke krijuar një përgjigje të fortë imunitare kundër virusit HPV dhe jepet para ekspozimit ndaj tij. Vaksina aktuale Gardasil 9 mbron nga nëntë lloje të HPV-së që shkaktojnë shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.
Ekspertët sqarojnë se, ndonëse rezultatet janë shumë inkurajuese, ato nuk nënkuptojnë eliminim absolut të rrezikut, por një ulje drastike të tij. Organizatat shëndetësore vazhdojnë të rekomandojnë vaksinimin në moshën 11–12 vjeç, për vajza dhe djem.
Sipas specialistëve, studimi përfaqëson një nga provat më të forta deri tani se vaksinimi kundër HPV-së mund të ketë ndikim të madh në parandalimin e kancerit dhe në shpëtimin e jetëve në nivel global.


