Flini aq thellë sa nuk dëgjoni alarmin? Ja kur gjumi i rëndë është normal dhe kur duhet të shqetësoheni

Ka njerëz që zgjohen nga zhurma më e vogël, ndërsa të tjerë mund të vazhdojnë të flenë edhe kur bie alarmi i telefonit apo ka zhurmë përreth. Këta persona shpesh përshkruhen si “gjumashë të rëndë” (heavy sleepers).
Sipas ekspertëve të gjumit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se flenë më shumë se të tjerët. Shpesh, personat me gjumë të thellë kanë një prag më të lartë zgjimi, që do të thotë se truri i tyre kërkon stimuj më të fortë për të dalë nga gjumi.
Një nga faktorët që mund të ndikojë janë të ashtuquajturat “sleep spindles” – valë të aktivitetit të trurit që shfaqen gjatë fazave të gjumit të thellë dhe që e bëjnë organizmin më rezistent ndaj zhurmave të jashtme.
Megjithatë, gjumi i rëndë nuk varet vetëm nga biologjia. Ekspertët përmendin edhe faktorë të tjerë si predispozita gjenetike, mungesa kronike e gjumit, konsumimi i alkoolit apo qetësuesve, mungesa e aktivitetit fizik dhe çrregullime të gjumit, përfshirë apnenë obstruktive të gjumit.
Në shumicën e rasteve, të qenit një gjumash i rëndë nuk përbën problem. Por nëse vështirësia për t’u zgjuar shkakton vonesa të shpeshta, humbje të angazhimeve apo përgjumje gjatë gjithë ditës, mund të jetë shenjë se diçka nuk shkon me cilësinë e gjumit.
Ekspertët paralajmërojnë edhe për fenomenin “sleep inertia”, një gjendje hutimi dhe lodhjeje që ndodh kur një person zgjohet gjatë fazës së gjumit të thellë. Kjo mund të zgjasë nga disa minuta deri në më shumë se një orë.
Në disa raste, gjumi tepër i rëndë mund të lidhet me probleme shëndetësore si apnea e gjumit, hipotiroidizmi apo depresioni. Për këtë arsye, simptomat e vazhdueshme rekomandohet të diskutohen me një specialist.
Ndryshe nga besimi i përhapur, gërhitja nuk lidhet domosdoshmërisht me gjumin e thellë. Një person mund të flejë shumë rëndë pa gërhitur, ndërsa një tjetër mund të gërhasë dhe të zgjohet lehtësisht.
Për ta bërë më të lehtë zgjimin, ekspertët këshillojnë ruajtjen e një orari të rregullt gjumi, krijimin e një ambienti të përshtatshëm për pushim, shmangien e alkoolit dhe kafeinës në mbrëmje, aktivitetin fizik dhe ekspozimin ndaj dritës natyrale gjatë ditës.
Sipas specialistëve, rëndësi nuk ka nëse një person është gjumash i lehtë apo i rëndë, por nëse gjumi është cilësor dhe nuk ndikon negativisht në jetën e përditshme.




