(FOTO)MrBeast i jep fund beqarisë/ YouTuberi më i famshëm në botë martohet në një ishull privat luksoz

Jimmy Donaldson, i njohur globalisht si MrBeast, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me partneren e tij prej vitesh, Thea Booysen.
Sipas revistës People, çifti kurorëzoi dashurinë në ishullin ekskluziv Necker, në pronësi të miliarderit britanik Richard Branson, ku zhvilluan një ceremoni intime me praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.
Ndryshe nga videot e tij spektakolare dhe sfidat me miliona dollarë që e kanë bërë një nga krijuesit më të njohur në YouTube, MrBeast zgjodhi që momentin më të rëndësishëm të jetës së tij ta mbante larg kamerave dhe mediave.
Në dasmë morën pjesë rreth 70 të ftuar, ndërsa festimet zgjatën disa ditë në një atmosferë private dhe relaksuese.
Thea Booysen u shfaq me një fustan elegant nusërie të dizenjuar nga Nicole Felicia, ndërsa MrBeast veshi një smoking klasik nga Ralph Lauren. Pas ceremonisë së betimeve, të ftuarit shijuan një darkë festive dhe muzikë live.

Historia e dashurisë së çiftit nisi në vitin 2022, kur ata u takuan në Afrikën e Jugut. Më pas lidhja e tyre u bë publike, ndërsa në Krishtlindjet e vitit 2024 MrBeast i propozoi martesë Theas.
Çifti kishte deklaruar më herët se dëshironte një ceremoni të vogël dhe larg vëmendjes mediatike, një dëshirë që e realizuan me dasmën e tyre në një nga ishujt privatë më luksozë në botë.


