Ja çfarë duhet të dini për depresionin sezonal gjatë verës!

Ja çfarë duhet të dini për depresionin sezonal gjatë

Depresioni sezonal shpesh lidhet me ditët e ftohta dhe të errëta të dimrit, por disa njerëz e përjetojnë atë gjatë verës. Pas kësaj mund të qëndrojnë edhe valët e të nxehtit dhe netët tropikale. Mbi një miliard njerëz në mbarë botën përballen me probleme të shëndetit mendor, një barrë që po rritet dhe që nxitet kryesisht nga ankthi dhe depresioni.

Një nga format më pak të njohura të depresionit është çrregullimi afektiv sezonal (SAD), një lloj i veçantë çrregullimi depresiv që shfaqet sipas një modeli sezonal. Ashtu si çdo formë tjetër e depresionit, edhe ai është një gjendje serioze mjekësore.

Depresioni sezonal është më i zakonshëm gjatë dimrit dhe lidhet me ditët më të errëta e më të ftohta, si edhe me mungesën e ndërveprimit shoqëror. Megjithatë, ndonëse depresioni veror prek vetëm një numër të vogël njerëzish, ai mund të jetë po aq dobësues sa forma dimërore, e cila njihet më gjerësisht.

Një studim i fundit zbuloi se depresioni sezonal i verës është një nënlloj atipik që prek 0,57% të popullsisë botërore, krahasuar me depresionin sezonal të dimrit, i cili prek 5%.

Kjo gjendje mund të shkaktohet nga valët e të nxehtit dhe netët tropikale. Simptomat variojnë nga një gjendje më e lehtë trishtimi gjatë verës deri te shenja depresive që mund ta bëjnë të vështirë funksionimin e përditshëm, si pagjumësia, humbja e oreksit, shqetësimi dhe ankthi.

Respektimi i një rutine, shmangia e vapës së skajshme dhe kujdesi i veçantë për gjumin mund të ndihmojnë në lehtësimin e shqetësimeve. Megjithatë, në rastet e rënda rekomandohet të kërkohet ndihmë mjekësore, sipas Adam Borland, psikolog klinik në Cleveland Clinic.

Në mbarë botën, numri i njerëzve që jetojnë me një problem të shëndetit mendor pothuajse është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së rasteve të ankthit dhe depresionit.Një analizë e fundit nga studimi i ri mbi Barrën Globale të Sëmundjeve, e publikuar në revistën The Lancet, zbuloi se rreth 1,2 miliardë njerëz, ose afërsisht 15% e popullsisë së botës, jetonin me një problem të shëndetit mendor në vitin 2023.

Këto shifra përfaqësojnë një rritje prej 95% të rasteve midis viteve 1990 dhe 2023. Gjatë së njëjtës periudhë, çrregullimet mendore u ngjitën në renditjen e shkaqeve kryesore të humbjes së shëndetit në botë, nga vendi i 12-të në të 5-tin.

Për çrregullimin e madh depresiv dhe çrregullimet e ankthit, rritja është edhe më e theksuar, përkatësisht 131% dhe 158%, duke i bërë ato, dy problemet më të zakonshme të shëndetit mendor.Përgjigjja ndaj nevojave të popullsisë globale për shëndetin mendor, veçanërisht të grupeve më të cenueshme, është një detyrim, jo një zgjedhje, shkruan autorët e Studimit mbi Barrën Globale të Sëmundjeve 2023.

Vlerësohet se një në gjashtë njerëz, ose rreth 140 milion persona, jetojnë me një problem të shëndetit mendor në Rajonin Evropian. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm një në tre persona që jetojnë me depresion në këtë rajon ka marrë kujdesin e nevojshëm.

Që prej pandemisë COVID-19, rastet e depresionit dhe ankthit te të rinjtë janë rritur me rreth 25%, ndërsa te grupmosha 15 deri në 29 vjeç, vetëvrasja është tashmë shkaku kryesor i vdekjes në rajon./Monitor

EMISIONET