Familja kërkon të vërtetën: Modelja e zhdukur lidhet me rrjetin e Epstein!

Një modele gjermane, e zhdukur prej gati 11 vitesh pa lënë gjurmë, është përmendur në dokumentet e njohura si Dosjet Epstein, duke rikthyer shpresat dhe frikën e familjes së saj për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me të.
Gruaja, e identifikuar vetëm si Michele, u largua nga shtëpia e familjes në vitin 2015, në moshën 22-vjeçare, dhe që atëherë nuk është parë apo dëgjuar më.
Rasti i saj ka marrë vëmendje të re pas publikimit të dokumenteve të lidhura me financierin e ndjerë dhe kriminelin seksual të dënuar, Jeffrey Epstein.
Sipas mediave gjermane, Michele kishte lidhje me rekrutuesin e modeleve Daniel Siad, i cili rezulton të ketë komunikuar me Epstein para zhdukjes së saj.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2014 Siad i kishte dërguar Epstein-it një fotografi të Michele-s të realizuar në Dubai, ndërsa në një mesazh tjetër e përshkruante si një vajzë që ai e njihte mirë dhe që Epstein do ta pëlqente.
Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që Michele të ketë takuar ndonjëherë Epstein-in. Edhe ish-bashkëpunëtorë të financierit kanë deklaruar se nuk e njohin apo nuk e kanë parë kurrë modelen gjermane.
Familja e saj raportoi zhdukjen vetëm pak javë pasi humbi kontaktet me të, por hetimet nuk sollën asnjë rezultat konkret. Sipas prindërve, Michele kishte ëndërruar prej vitesh të bëhej modele dhe kishte jetuar për një periudhë në Dubai, ku kishte njohur Daniel Siad-in dhe kishte punuar në rrethana që më vonë i kishte përshkruar si të vështira.
Babai i saj, Vlado, ka deklaruar se familja nuk ka humbur shpresën për ta gjetur të gjallë vajzën e tyre.
“Është shumë e rëndësishme për ne që ta gjejmë përsëri, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet”, tha ai.
Sipas familjarëve, pak para zhdukjes Michele kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar jetën e saj, për të gjetur një apartament dhe një punë të qëndrueshme në Gjermani.
Por pak kohë më vonë ajo u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, duke lënë pas një mister që mbetet i pazgjidhur edhe sot.

