Ekspertët ngrenë alarmin: Fëmijët po bien pre e standardeve të rreme të bukurisë!

Një trend i ri që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale po ngre shqetësime serioze tek specialistët e shëndetit mendor dhe dermatologët.
I njohur si “kozmetikoreksi”, fenomeni përshkruan fiksimin e fëmijëve dhe adoleshentëve me produktet e bukurisë, rutinat e kujdesit për lëkurën dhe kërkimin e një pamjeje të përsosur që në moshë shumë të hershme.
Rasti i 13-vjeçares Ellie-May, e cila numëron mbi 330 mijë ndjekës në TikTok duke publikuar video për grimin dhe kujdesin ndaj lëkurës, është kthyer në një nga shembujt më të përfolur.
Sipas nënës së saj, aktiviteti në rrjetet sociale gjeneron më shumë se 50 mijë paund të ardhura në vit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pas suksesit online fshihen rreziqe të shumta.
Fenomeni lidhet me trendin “Sephora Kids”, ku fëmijë dhe paraadoleshentë përdorin produkte të krijuara kryesisht për të rriturit, përfshirë serume, tonikë dhe produkte kundër plakjes.
Dermatologët theksojnë se këto produkte janë të panevojshme për lëkurën e fëmijëve dhe në disa raste mund të shkaktojnë irritime apo dëmtime.
Ndërkohë, psikologët vërejnë se fenomeni po ndikon negativisht në vetëvlerësimin e të rinjve, duke nxitur ndjenja turpi, ankthi dhe pasigurie për pamjen e tyre.
Sipas specialistëve, krahasimi i vazhdueshëm me imazhet e idealizuara në rrjetet sociale po i shtyn shumë fëmijë të besojnë se nuk janë mjaftueshëm të bukur apo të pranueshëm.
Përveç ndikimit në shëndetin mendor, ekspertët ngrenë shqetësime edhe për privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve në internet.
Teksa industria e bukurisë po synon grupmosha gjithnjë e më të reja, specialistët u bëjnë thirrje prindërve të monitorojnë aktivitetin e fëmijëve në rrjetet sociale dhe t’i ndihmojnë ata të krijojnë një raport më të shëndetshëm me pamjen e jashtme.

