Britania e Madhe propozon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale gjatë natës për 16-17-vjeçarët

Qeveria britanike ka njoftuar planin e ri, për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët 16 dhe 17 vjeç gjatë orëve të natës, me synimin për të përmirësuar gjumin, përqendrimin dhe shëndetin mendor të të rinjve, sipas BBC.
Sipas propozimit, platformat si Instagram, TikTok dhe YouTube do të jenë të bllokuara automatikisht për këtë grupmoshë nga ora 00:00 deri në 06:00.
Megjithatë, të rinjtë do të kenë mundësi ta çaktivizojnë këtë kufizim përmes cilësimeve të llogarisë së tyre.
Qeveria kërkon gjithashtu që veçori që konsiderohen varësuese, si: autoplay (vazhdimi automatik i videove); scroll- pa fund (kalimi nga një video në një postim tjetër), të çaktivizohen për përdoruesit nën 18 vjeç.
Ministria britanike e Teknologjisë tha se këto masa do t’i ndihmojnë të rinjtë të flenë më mirë, të përqendrohen më shumë në shkollë dhe të kalojnë më shumë kohë me familjen.
Megjithatë, disa organizata për mbrojtjen e fëmijëve e kanë kritikuar planin, duke thënë se fakti që adoleshentët mund ta heqin vetë kufizimin e bën masën më pak efektive.
Ellen Roome, një aktiviste që humbi djalin e saj pas një sfide të rrezikshme online në vitin 2022, tha se masa nuk shkon mjaftueshëm larg, pasi të rinjtë mund ta anashkalojnë lehtësisht.
Qeveria britanike njoftoi më herët se, fëmijët nën 16 vjeç do të ndalohen plotësisht nga disa platforma sociale, ndërsa masat e reja për 16-17-vjeçarët pritet t’i paraqiten Parlamentit deri në fund të vitit 2026.
Ministri për Sigurinë Online, Kanishka Narayan, mbrojti planin duke thënë se kombinimi i kufizimit të orarit dhe çaktivizimit të funksioneve që krijojnë varësi, do ta bëjë Britaninë e Madhe, një nga vendet me rregullat më të forta në botë për kompanitë teknologjike.
Por disa ekspertë paralajmërojnë se një ndalim gjatë natës mund të ketë edhe pasoja negative.
Prof. Sonia Livingstone nga Shkolla Ekonomike e Londrës tha se kufizimi mund të dëmtojë disa të rinj, që përdorin rrjetet sociale për të kërkuar ndihmë ose mbështetje gjatë natës.
Ndërkohë, qeveria tha se nuk do të kufizojë përdorimin e VPN-ve (mjete që fshehin vendndodhjen reale të përdoruesit), pasi ato përdoren edhe për arsye legjitime, si mbrojtja e privatësisë.
Një studim i porositur nga qeveria, ku morën pjesë rreth 300 adoleshentë, sugjeroi se kufizimi gjatë natës mund të sjellë përmirësime në gjumë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo është vetëm një pjesë e problemit dhe se nevojiten masa më të gjera për të mbrojtur fëmijët në internet.


