“World Food Photography Awards 2026”: 10 fotografitë fituese që rrëfejnë botën përmes ushqimit

“World Food Photography Awards 2026”: 10 fotografitë fituese

Nga një sanatorium i epokës sovjetike te një treg mbi ujë në Bangladesh, fotografitë fituese të “World Food Photography Awards 2026 – Çmimeve Botërore të Fotografisë së Ushqimit të këtij viti, pasqyrojnë mënyrat e shumta se si ushqimi formëson jetën e përditshme në mbarë botën, shkruan BBC.

Konkursi i vitit 2026, mblodhi gati 9,000 fotografi nga më shumë se 50 vende, duke përjetësuar korrjet, tregjet, kuzhinat familjare, ushqimin e rrugës, festimet dhe mbijetesën.

Me vetëm një klikim, fotografët e ushqimit nga e gjithë bota, krijuan një portret global të kulturës ushqimore, duke treguar jo vetëm se çfarë hanë njerëzit, por edhe mënyrën se si ushqimi është i ndërthurur me jetën e përditshme.

Më poshtë vijojnë disa nga fotografitë fituese më mbresëlënëse të këtij viti.

Fituesja e çmimit kryesor: Jo Kearney, Britania e Madhe

Fotografia fituese e fotografes britanike, Jo Kearney fiksoi një moment vetmie në mensën e një sanatoriumi të epokës sovjetike në Taxhikistan, duke kujtuar se fotografia e ushqimit, mund të ketë po aq lidhje me evokimin e kujtimeve dhe të një vendi, sa edhe me nxitjen e oreksit.

Në Khoja Obi Garm, në malet e Taxhikistanit, vizitorët vazhdojnë të mblidhen për vakte të thjeshta dhe të bollshme.

I ndërtuar mbi burime termale të pasura me radon, ky kompleks i madh prej betoni, i njohur dikur si një “hotel shëndeti”, u ofronte punëtorëve dy javë pushim çdo vit.

Sot, kostoja e ulët vazhdon të tërheqë banorë vendas të Taxhikistanit, vizitorë nga vendet fqinje të Azisë Qendrore dhe herë pas here udhëtarë me çanta shpine.

“World Food Photography Awards 2026”: 10 fotografitë fituese

Fitues, kategoria “Ushqim për të Festuar”: Pingyao Song, Kinë

Në një festival të hotpot-it në Kinë, qindra pjesëmarrës mblidhen rreth një banketi të madh të përbashkët.

Lëngu i kuq, i pasur me spec djegës, piper Sichuan, pastë të fermentuar fasulesh, dhjamë viçi dhe erëza, shndërrohet njëkohësisht në vakt dhe spektakël, ndërsa të pranishmit hanë, filmojnë dhe transmetojnë drejtpërdrejt festën.

Fitues, kategoria “Maja e cilësisë”: Albert González, Spanjë

Në Ine, një fshat peshkatarësh në prefekturën Kyoto të Japonisë, kallamarët thahen në diell sipas teknikës tradicionale himono.

Kjo metodë konservimi, e përdorur për peshqit dhe prodhimet e detit, e pasuron shijen falë kripës, ajrit dhe kohës, duke lidhur traditat ushqimore të fshatit me detin që i siguron jetesën.

Fitues, kategoria “Mbledhja e Prodhimeve”: Marco Rutten, Holandë

Në agim, nën urën Howrah në Kolkata, një grup i vogël peshkatarësh tërheqin rrjetat nga lumi Hooghly.

Peshku i kapur do të shitet në tregjet aty pranë dhe do të gatuhet po atë mëngjes në familjet bengaleze.

Fotografia pasqyron punën e përditshme të peshkatarëve në orët e para të mëngjesit, që zhvillohet poshtë një prej urave më të ngarkuara të qytetit.

Fitues, kategoria “Ushqimi i rrugës”: Kara Baird, Australi

Në tregun Nishiki të Kiotos, fotografia kap një çast kalimtar mes turmës së blerësve, avullit, nxehtësisë dhe lëvizjes.

I njohur si “kuzhina e Kiotos”, ky treg ka qenë prej kohësh një nga qendrat më të rëndësishme të gastronomisë së qytetit, ku ushqimet e rrugës, turshitë, prodhimet e detit dhe ëmbëlsirat mbushin rrugicat e ngushta.

Imazhi përcjell intensitetin e tregut në momentin e tij më të ngarkuar.

“World Food Photography Awards 2026”: 10 fotografitë fituese

Fitues, “Çmimi “Louis Jadot” për fotografin e vitit të verës”: Juan Miguel Ortuño Martinez, Spanjë

Brenda një rezervuari nëntokësor vere, një punëtor pastron me ujë me presion, gjurmët e vjeljes së mëparshme të rrushit.

Pasi muret dhe dyshemeja pastrohen, kolegu i tij ul një kovë të vogël me një sfungjer, për të mbledhur mbetjet e mbetura në cepin më të ulët të rezervuarit.

Fotografia zbulon punën e padukshme që fshihet pas prodhimit të verës, larg romantizmit që lidhet me gotën e verës.

Fitues, kategoria “Ushqim për Familjen”: Michela Balboni dhe Federico Borella, Itali

Në Samarkand, Uzbekistan, një fëmijë zgjat dorën drejt bukës së nxehtë, të sapodalë nga tanduri i familjes.

E rëndë dhe e rrumbullakët, me një kore të trashë dhe elastike, gjithmonë e zbukuruar në qendër me fara të zeza susami, buka “Samarkand non” është një nga ushqimet më karakteristike të qytetit.

Fitues, “Çmimi “Jamie Oliver” për të rinjtë” (13–17 vjeç): Indigo Larmour

Gjatë festivalit Chhath Puja në Bengalin Perëndimor të Indisë, besimtarët qëndrojnë në ujë, duke ofruar ushqime për Suryan, perëndinë e Diellit.

Festivali, i kremtuar kryesisht nga gratë, mbështetet në vlerat e mirënjohjes, pastrimit shpirtëror dhe përkushtimit.

“World Food Photography Awards 2026”: 10 fotografitë fituese

Fitues, kategoria “Ushqim për shitje”: Kazi Mohammad Golam Quddus, Bangladesh

Në Bogra, Bangladesh, një treg perimesh gjallërohet në orët e para të mëngjesit.

Fermerët sjellin lakrat e sapokorrura me furgonë, përpara se tregtarët t’i blejnë dhe t’i transportojnë drejt Dakës dhe qyteteve të tjera të mëdha.

Fitues, “Çmimi “Philip Harben” për fotografinë e ushqimit gjatë përgatitjes”: Lehóczki Balázs

Fotografi hungarez, Lehóczki Balázs kishte vite që e imagjinonte këtë portret të gjyshërve të tij, por ndiente se nuk ishte ende i denjë për ta realizuar.

Gjyshja shkoi te parukierja, ndërsa gjyshi u rrua, përpara se ai të instalonte pajisjet e studios në kuzhinën e tyre.

Kur pa fotografinë e përfunduar, gjyshja e quajti atë artist. 

EMISIONET