Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron prof. dr. Nikolla Qafokun për zgjedhjen në Washington State Academy of Sciences

Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron prof. dr. Nikolla Qafokun

Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron dhe përgëzon prof. dr. Nikolla (Niko) Qafokun për zgjedhjen e tij si anëtar i Washington State Academy of Sciences (WSAS), një vlerësim i lartë që i akordohet personaliteteve me kontribute të shquara shkencore dhe ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës dhe të shoqërisë.

Prof. dr. Qafoku është një nga pesë studiuesit e Pacific Northwest National Laboratory (PNNL) që u zgjodhën këtë vit në WSAS, në vlerësim të kontributeve të tij shumëvjeçare në shkencat e mjedisit, mbrojtjen e tokës dhe ujërave, rehabilitimin e zonave të ndotura, bujqësinë e qëndrueshme dhe proceset e dekarbonizimit. Kërkimet e tij mbi transportin dhe sjelljen afatgjatë të elementeve radioaktive dhe metaleve në tokë e ujërat nëntokësore kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në strategjitë e rehabilitimit mjedisor, vlerësimin e riskut dhe mbrojtjen e burimeve ujore.

Përveç detyrës si Laboratory Fellow në Pacific Northwest National Laboratory, prof. dr. Qafoku është profesor i asociuar në University e Washingtonit, pedagog i jashtëm në Universitetin Shtetëror të Washingtonit, si dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë vlerëson veçanërisht bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëmtë prof.dr. Qafokut me institucionin tonë. Ai ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i reformimit dhe ndërkombëtarizimit të veprimtarisë shkencore të Akademisë, duke marrë pjesë aktive në konferenca, forume dhe veprimtari të përbashkëta shkencore, si dhe në nismat e organizuara në bashkëpunim me rrjetin Alb-Shkenca.

Prof. dr. Qafoku është gjithashtu anëtar i Bordit Editorial të revistës Albanian Journal of Natural and Technical Sciences (AJNTS) dhe Kryeredaktor i Seksionit të Shkencave të Mjedisit në këtë revistë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë shkencore dhe ndërkombëtarizimin e saj.

Në vlerësim të kontributit të tij të shquar shkencor dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike ka miratuar propozimin për zgjedhjen e prof. dr. Nikolla Qafokut si Anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, procedurë që pritet të përmbyllet sipas statutit të Akademisë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë i shpreh prof. dr. Nikolla Qafokut urimet më të përzemërta për këtë vlerësim të ri ndërkombëtar dhe i uron suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij shkencore, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi i tij me Akademinë do të vijojë të kontribuojë në zhvillimin e shkencës shqiptare dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin shkencor ndërkombëtar.

EMISIONET