VIDEO/ Kampet verore në Korçë, Kumbaro: Nxënësit zbulojnë botën e teknologjisë përmes inovacionit

VIDEO/ Kampet verore në Korçë, Kumbaro: Nxënësit

Kampet verore të organizuara në bashkitë e vendit po krijojnë hapësira të reja për fëmijët dhe të rinjtë, duke i shndërruar pushimet verore në mundësi për të mësuar, krijuar dhe zhvilluar aftësi të reja përmes aktiviteteve edukative dhe argëtuese.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga aktivitetet e organizuara në kuadër të kampeve verore, ku nxënësit po marrin pjesë në programe që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe kreativitetin.

“Kampet verore që po organizohen në bashkitë e vendit janë shndërruar në laboratorët më të bukur të ideve, krijimtarisë dhe imagjinatës, ku nxënësit po i përjetojnë pushimet ndryshe duke mësuar, duke zhvilluar pasionet e tyre dhe duke krijuar miqësi të reja”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se “biblioteka “Thoma Turtulli” dhe Qendra Rinore në Korçë janë kthyer këto ditë në një hapësirë frymëzuese, ku përmes Inno-Kids Camp, nxënësit zbulojnë botën e teknologjisë përmes lojës dhe inovacionit dhe kështu pushimet verore kthehen në një mundësi të bukur për të nxitur kureshtjen dhe aftësitë që i shoqërojnë fëmijët gjatë gjithë jetës”.

Përmes këtyre aktiviteteve, nxënësit jo vetëm argëtohen gjatë periudhës së pushimeve, por gjithashtu zhvillojnë aftësi të reja, nxisin kureshtjen, punën në grup dhe kreativitetin.

Kampet verore synojnë të ofrojnë një mënyrë alternative të kalimit të kohës së lirë për fëmijët, duke i afruar ata me fusha të ndryshme të dijes dhe duke krijuar mundësi për të zbuluar pasione të reja.

Aktivitetet edukative dhe kulturore të organizuara në Korçë gjatë verës po shërbejnë si një mundësi për fëmijët që të ndërthurin argëtimin me të nxënit, duke krijuar përvoja që i shoqërojnë edhe në vitet e ardhshme.

EMISIONET