Zgjedhjet në PD/ Baçi: Proces shumë i mirë, por perfeksioni nuk ekziston. Posti nuk përcakton vlerën e askujt
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në studion e "Ora News", ka komentuar ecurinë e procesit të brendshëm zgjedhor në PD, duke e cilësuar atë si një proces shumë të mirë dhe duke theksuar se mungesa e një posti drejtues nuk zbeh kontributin apo vlerën e asnjë anëtari brenda forcës politike.
"E pritshme ajo çfarë do ndodhte për arsye se Partia Demokratike ka qenë në një vit zgjedhor, duke filluar qysh me zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike me referendum, duke vazhduar me kuvendin e Partisë Demokratike ku zgjodhi Këshilli Kombëtar dhe më prapa, procedura e përcaktonte që Këshilli Kombëtar do të zgjidhte dhe pjesën tjetër të strukturës drejtuese të Partisë Demokratike, siç është Kryesia e Partisë Demokratike, sekretariatet, sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët.
Të gjithë panë një proces zgjedhor që unë do ta quaja shumë të mirë, nuk ka asnjëherë proces perfekt.
Perfeksioni nuk ekziston asnjëherë. Kështu që, në çdo proces zgjedhor ka dhe problematika, ka dhe pakënaqësira, ka dhe... unë nuk preferoj asnjëherë të them që brenda një partie politike ka humbës dhe fitues, por ka të zgjedhur, dhe jo të zgjedhur në një post të caktuar.
Se në një post kur kandidojnë dy, një do zgjidhet, ose në një strukturë kur kandidojnë 50 dhe do të zgjidhen 20, 20 do zgjidhen, 30 të tjerët nuk do zgjidhen. Por kjo nuk do të thotë se ata që nuk zgjidhen, nuk janë pjesë e drejtimit të Partisë Demokratike, për arsye se nuk është posti drejtues ai që përcakton se sa vlen një individ brenda një subjekti politik, apo çfarë pune do të bëjë.
Askënd dhe askush nuk ndalon askënd që të jetë pjesë e drejtimit, pjesë e kontributit, pjesë e punës së mirë të një subjekti politik, në rastin konkret të Partisë Demokratike. Pra, parë në këtë këndvështrim unë e pashë si një proces zgjedhor shumë të mirë absolutisht", u shpreh Baçi.
Ndiqni intervistën e plotë:

