VIDEO/ "Kalaja e Borshit po merr jetë përmes restaurimit"

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, solli në vëmendje punimet restauruese në Kalanë e Borshit të cilat sipas tij, po i japin jetë një thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
Restaurimi po kryhet duke ruajtur historinë, vlerat dhe bukurinë e saj për brezat që do të vijnë.
“Çdo ndërhyrje është një hap më pranë kthimit të këtij monumenti në një destinacion edhe më tërheqës për vizitorët”, shkroi kreu i MTKS-së në rrjetet sociale.
Kalaja e Borshit ndodhet në një kodër të gjelbëruar mbi fshatin dhe bregdetin e Borshit, në Rivierën Shqiptare. E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës.
Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe të madhe, dhe brenda saj gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami osmane. Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, duke e bërë atë një vend tërheqës për vizitorët që duan të ndërthurin natyrën me historinë.


