Alarm në plazhet e Nju Jorkut / Pas sulmit të peshkaqenit, pushuesit lejohen në ujë vetëm deri në bel

Alarm në plazhet e Nju Jorkut / Pas sulmit të peshkaqenit, pushuesit

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në oazin bregdetar të NjuJorkut, ku një notar ka rënë pre e sulmit të një peshkaqeni të dyshuar. Incidenti i regjistruar në zonën e njohur Jones Beach (Field 6) ka vënë në lëvizje të menjëhershme autoritetet, të cilat pezulluan përkohësisht aktivitetet e notit përgjatë vijës bregdetare.

Viktima e sulmit pësoi disa prerje dhe lëndime në këmbë, por falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të shpëtimit dhe transportimit me ambulancë drejt spitalit, u konfirmua se plagët nuk janë kërcënuese për jetën.

Pas një ore kërkimesh të imtësishme në det nga forcat e sigurisë, nuk u diktua asnjë prani tjetër e menjëhershme e predatorëve, çka solli rihapjen e plazhit, por me një kusht të rreptë: notarët lejohen të futen në ujë vetëm deri në nivelin e belit.

Ky sulm pason një seri sinjalizimesh që kanë alarmuar bregdetin e Nju Jorkut ditët e fundit.

Sipas ekspertëve, fluksi i madh i njerëzve nëpër plazhe ka ardhur si pasojë e një vale të nxehti rekord që po përfshin pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Ndonëse perceptohet se numri i peshkaqenëve është rritur, zyrtarët sqarojnë se kjo lidhet direkt me përdorimin e shtuar të dronëve nga rojet bregdetare, gjë që mundëson diktimin e tyre më lehtë se më parë.

"Çdo vit në të gjithë botën regjistrohen midis 60 dhe 80 kafshime të paprovokuara nga peshkaqenët. Është jashtëzakonisht e rrallë që dy ose më shumë persona të kafshohen në afërsi të njëri-tjetrit," deklaroi Gavin Naylor, drejtor i Programit të Kërkimit të Peshkaqenëve në Floridë, duke theksuar se rastet e sulmeve mbeten sërish mjaft të rralla.

EMISIONET