Guri: Fermerët do të përdorin prodhimin bujqësor si kolateral për financim

Guri: Fermerët do të përdorin prodhimin bujqësor si

Fermerët do të mund të përdorin produktet bujqësore, ende të pakorrura ose të magazinuara, si kolateral për të siguruar financim, në kuadër të një nisme të re ligjore që synon lehtësimin e aksesit në kredi dhe formalizimin e marrëdhënieve financiare në sektorin bujqësor.

Projektligji për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore u shqyrtua në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Fatmir Guri sqaroi se nisma krijon një instrument të ri financiar që i jep më shumë siguri fermerëve dhe subjekteve financuese.

Sipas tij, dëftesat tregtare do të lëshohen në formë elektronike përmes platformës e-Albania dhe do të kenë fuqinë e titullit ekzekutiv, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë në transaksionet bujqësore.

Nisma parashikon dy mekanizma kryesorë: përdorimin e prodhimit të ardhshëm si garanci për financim, si dhe përdorimin e produkteve të magazinuara si kolateral, duke u dhënë fermerëve mundësi më të mëdha për të menaxhuar shitjen e prodhimit në varësi të kushteve të tregut dhe çmimeve.

“Ligji parashikon dy instrumente kryesore. I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Kjo lidhet me momentin kur produkti ende nuk është korrur apo prodhuar, por ekziston një çmim real i prodhimit. Fermeri mund të përdorë produktin që pritet të realizohet si bazë për një financim, për të marrë inpute apo mbështetje tjetër ekonomike.

Instrumenti i dytë lidhet me produktet bujqësore të magazinuara. Në këtë rast, produkti i prodhuar dhe i depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim, duke i dhënë fermerit më shumë mundësi të mos e shesë menjëherë prodhimin, sidomos në periudha kur tregu nuk ofron çmim të favorshëm”, tha Guri.

EMISIONET