BE drejt një hapi të ri për Serbinë, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e klasterit 3

BE drejt një hapi të ri për Serbinë, Komisioni Evropian

Komisioni Evropian pritet t'u propozojë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Rekomandimi do të paraqitet në takimin e ambasadorëve të BE-së më 8 korrik, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.

Sipas burimeve në Bruksel, Komisioni Evropian vlerëson se Serbia ka bërë përparim në disa fusha kyçe, duke përfshirë ndryshimet në ligjet për gjyqësorin, të miratuara në fund të qershorit.

Në dokument përfshihet edhe funksionalizimi i Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), përparimi në reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR-it, si dhe hapat e ndërmarrë për harmonizimin me politikën e vizave dhe masat kufizuese të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Serbia vazhdon të mos jetë plotësisht në linjë me politikën e jashtme të BE-së. Shkalla e harmonizimit me sanksionet e Bashkimit Evropian është rreth 60 për qind, ndërsa Beogradi ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe Kinës. Edhe në politikën e vizave kërkohen masa të tjera për të arritur harmonizim të plotë me standardet evropiane.

Komisioni Evropian e ka konsideruar Serbinë teknikisht të gatshme për hapjen e klasterit 3 që nga viti 2021, por procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare. Fillimisht pengesë ishte mosharmonizimi me sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa më pas shqetësimet u përqendruan te sundimi i ligjit.

Serbia nuk ka hapur asnjë grup të ri kapitujsh negociues që nga dhjetori i vitit 2021. Për hapjen e klasterit 3 nevojitet miratimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Java në vijim konsiderohet vendimtare për ecurinë e negociatave, pasi gjatë konferencave ndërqeveritare të planifikuara do të shqyrtohet avancimi i vendeve kandidate. Në të njëjtën periudhë, Mali i Zi pritet të mbyllë përkohësisht dy kapituj negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia pritet të hapin nga një klaster të ri.

EMISIONET