RINGJALLET “PROMETHEIA”/ Qindra besimtarë mblidhen rrëzë Malit Olimp! Festivali tërheq çdo vit pjesëmarrës nga Greqia dhe jashtë saj (VIDEO)

Në rrëzë të Malit Olimp, qindra persona u mblodhën për edicionin e këtij viti të festivalit "Prometheia", një aktivitet katërditor që synon të ringjallë traditat fetare dhe kulturore të Greqisë antike. Ceremonitë zhvillohen çdo verë pranë Litohoros dhe sitit arkeologjik të Dionit, duke tërhequr pjesëmarrës dhe vizitorë nga vende të ndryshme.

RINGJALLET “PROMETHEIA”/ Qindra besimtarë mblidhen

Me procesione me pishtarë, himne kushtuar perëndive, valle dhe rituale simbolike, festivali "Prometheia" riktheu edhe këtë vit atmosferën e Greqisë së lashtë në rrëzë të Malit Olimp, vendit që sipas mitologjisë konsiderohej banesa e dymbëdhjetë perëndive olimpike.

Aktiviteti organizohet prej më shumë se 30 vitesh nga shoqata "Prometeu, Sjellësi i Zjarrit", e cila mban emrin e Titanit që, sipas mitologjisë greke, vodhi zjarrin nga perënditë për t'ua dhuruar njerëzve.

Organizatorët thonë se synimi i festivalit është të promovojë trashëgiminë historike, kulturore dhe shpirtërore të Greqisë së lashtë.

Gjatë katër ditëve të festivalit zhvillohen procesione pranë qytetit antik të Dionit, vrapime me pishtarë, shfaqje teatrore, valle tradicionale dhe rituale në pyjet e Malit Olimp, si edhe pranë lumit Enipeas.

Pjesëmarrësit nderojnë natyrën dhe figurat mitologjike si Nimfat dhe Nereidat, ndërsa disa ceremoni përfshijnë derdhjen e verës në tokë, ngritjen e duarve drejt qiellit dhe larjen simbolike të këmbëve në lumë.

Shumë prej besimtarëve zgjedhin të përdorin emra të frymëzuar nga antikiteti. Pas një ceremonie simbolike, anëtarët e shoqatës identifikohen me emra të personazheve mitologjikë ose të figurave të Greqisë së lashtë, si pjesë e lidhjes së tyre me traditën helene.

Lëvizja moderne e besimit politeist helen nuk përfaqësohet nga një organizatë e vetme, por nga disa komunitete që synojnë ruajtjen dhe praktikimin e riteve para-kristiane.

Në vitet e fundit, autoritetet greke kanë njohur ligjërisht fenë helene si një "fe të njohur", duke i lejuar komunitetet të ushtrojnë publikisht aktivitetet e tyre fetare dhe të krijojnë vende adhurimi.

Çdo verë, Mali Olimp shndërrohet kështu në skenën ku mitologjia, historia dhe besimi bashkohen në një traditë që vijon të zgjojë interes brenda dhe jashtë Greqisë.

EMISIONET