VIDEO/ Peizazhe unike në Lumin e Gashit, pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO

Lumi i Gashit, në zemër të Alpeve Shqiptare Në Tropojë, po kthehet çdo vit në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit natyror.
I njohur për pyjet e lashta të ahut, ujërat e kristalta dhe biodiversitetin e pasur, ky rezervat natyror është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2017.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj në një postim në rrjetet sociale tha sot se “7 korriku shënon një datë të veçantë për Lumin e Gashit, një pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, që bashkon bukuritë e rralla të natyrës me biodiversitetin e larmishëm”.
“Lumi buron nga Bjeshkët e Alpeve, duke formuar peizazhe të rralla me pyje unike, kanione dhe shtigje malore, që përfaqësojnë një nga vlerat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë dhe trashëgimisë botërore”, shkruan Jaupaj.
Lumi i Gashit i shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.
Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.
Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.
Zona ofron mundësi për ecje në natyrë, alpinizëm, fotografi dhe vëzhgim të florës e faunës, ndërsa pranë saj ndodhen edhe liqenet akullnajore të Dobërdolit dhe Sylbicës, që e bëjnë peizazhin edhe më tërheqës.


