PAMJE/ Polifonia shqiptare këndohet në Udine

PAMJE/ Polifonia shqiptare këndohet në Udine

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Aulon Naçi përcolli sot në rrjetet sociale imazhe nga koncerti i ansamblit tonë në Udine të Italisë.

“Një tjetër kapitull i bukur në rrugëtimin ndërkombëtar të iso-polifonisë shqiptare u mbyll me sukses në Itali”, shkruan Naçi.

Në kuadër të Piccolo Opera Festival 2026, grupi i Polifonisë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të TKOBAP solli në Kishën Santo Stefano Protomartire në Udine, tingujt autentikë të një tradite shekullore.

Koncerti mori duartrokitje dhe vlerësimin e publikut italian, duke dëshmuar edhe një herë se iso-polifonia shqiptare, e shpallur Pasuri Botërore nga UNESCO, mbetet një gjuhë universale që prek zemrat përtej çdo kufiri.

“Me krenari vazhdojmë ta çojmë zërin e Shqipërisë në skenat ndërkombëtare, duke promovuar thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore”, u shpreh Naçi, ndërkohë që kalendari artistik i TKOBAP-së parashikon të tjera performanca jashtë kufijve, gjatë kësaj vere.

EMISIONET