Librat e ndaluar dhe sekretet e letërsisë shqiptare/ Mark Marku tregon se si qarkullonin veprat e fshehta në diktaturë

Letërsia shqiptare e periudhës së regjimit komunist mbart histori të panjohura, ku përtej kufizimeve ideologjike ekzistonte një botë tjetër leximi, me libra të ndaluar, krijues të rinj dhe lidhje mes shkrimtarësh që ndihmuan në formimin e brezave të rinj.

I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, shkrimtari dhe studiuesi Mark Marku solli rrëfime nga përvoja e tij personale, duke treguar ndikimin që patën disa figura të njohura të letërsisë shqiptare në rrugëtimin e tij krijues.

Një nga episodet lidhet me poetin dhe tekstshkruesin e njohur Gjok Beci, i cili sipas Markut i dha mundësinë të njihte për herë të parë veprat e poetit rus Sergei Esenin, një emër që në atë kohë gjendej vetëm në fondet e rezervuara të bibliotekave.

“Mua Gjok Beci më ka dhënë për herë të parë Eseninin. Sepse Esenini ishte në bibliotekë, por ishte në fondin e rezervuar. Ishte mahnitje leximi i Eseninit. Ishin këto lidhje që të nxisnin”, u shpreh Marku.

Sipas tij, Gjok Beci kishte krijuar rreth vetes një ambient ku bashkoheshin krijues të rinj dhe figura të tjera të botës letrare të Mirditës, duke krijuar një hapësirë ku mosha nuk përbënte pengesë dhe ku shkëmbimi i ideve ishte i rëndësishëm.

“Ishte njeri shumë i komunikueshëm me çdo kategori moshe. Nuk bënte diferencime. Krijonte një lloj mini-atmosfere shumë të mirë përreth vetes, ku diferenca e moshës nuk ekzistonte”, tregoi Marku.

Në këtë rrugëtim, ai solli edhe rolin e Dritëro Agollit, jo vetëm si një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, por edhe si një figurë që mbështeti autorët e rinj.

Marku u ndal te kontrasti mes imazhit publik të Agollit si “poet popullor” dhe përgatitjes së tij të thellë kulturore, duke treguar se ai kishte njohuri të gjera dhe akses në literaturën e huaj.

“Ishte krijuar miti i poetit popullor, por në fakt ishte njeri shumë i kulturuar. Ndoshta ka qenë një nga poetët më të kulturuar. Ai lexonte rusisht dhe frëngjisht dhe ishte ndër të parët që merrte librat që vinin nga jashtë”, tha Marku.

Sipas tij, figura si Agolli dhe Koçi Petriti kishin një rol të rëndësishëm në mbështetjen e talenteve të reja, sidomos në një kohë kur rrugëtimi drejt botimit dhe njohjes ishte i vështirë.

“Jo vetëm mua, por shumë të tjerë i ka ndihmuar shumë Dritëroi. Njeriu duhet të jetë i parë dhe të marrë mbështetje kur ka talent”, u shpreh Marku.

Rrëfimi sjell një tjetër këndvështrim mbi historinë e letërsisë shqiptare, ku përtej censurës dhe kufizimeve të kohës, ekzistonin rrjete ndikimi, mentorimi dhe përpjekje për të ruajtur lidhjen me letërsinë botërore.

 

EMISIONET