Vetëm 17 ditë në krye të Italisë, Paolo Maldini largohet pas përplasjes për trajnerin e ri

Aventura e Paolo Maldinit si drejtor teknik i kombëtares italiane ka përfunduar në mënyrë të papritur. Ish-kapiteni i Milanit dhe i Italisë ka dhënë dorëheqjen nga posti pas vetëm 17 ditësh në detyrë, së bashku me këshilltarin Leonardo.
Vendimi erdhi pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit për zgjedhjen e trajnerit të ri të “Axurrëve”. Maldini kishte propozuar emërimin e Andrea Pirlós në pankinën e Italisë, por federata nuk dha dritën jeshile për këtë zgjedhje.
Pas dështimit për të bindur Pep Guardiolën, Pirlo ishte alternativa kryesore e Maldinit për të nisur një projekt të ri në kombëtaren italiane. Palët thuhet se kishin arritur një marrëveshje paraprake, por emërimi u ndal për shkak të disa kundërshtimeve që lidhen me marrëdhëniet e Pirlós me një kompani bastesh ruse ku ai kishte rol ambasadori, si dhe presioneve politike.
Kjo situatë solli një krisje në marrëdhëniet mes Maldinit dhe drejtuesve të federatës. Ish-mbrojtësi legjendar njihet për qëndrimin e tij të fortë ndaj ndërhyrjeve në punën sportive dhe nuk ka pranuar të ketë kufizime në projektin që kishte planifikuar për Italinë.
Maldini kishte synuar të ndërtonte një strategji afatgjatë, me një projekt që shtrihej në 8 deri në 10 vite, duke synuar rinovimin e kombëtares dhe rikthimin e saj në nivelet më të larta të futbollit botëror.
Pas largimit të tij, Federata Italiane tashmë duhet të rishikojë planet për stolin e “Axurrëve”. Emrat më të përfolur për drejtimin e kombëtares janë Roberto Mancini dhe Antonio Conte, dy trajnerë me eksperiencë të madhe në futbollin italian dhe ndërkombëtar.


