Kisha e Shën Mëhillit, përshëndetja e parë e Beratit për vizitorët

Mes 17 kishave që mund të vizitohen në Kalanë e Beratit, njëra prej tyre ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur në shpatin e kalasë, bie në sy sapo hyn në qytet.
Bëhet fjalë për Kishën e Shën Mëhillit e shekullit XIV, në faqen e pjerrët të kodrës së kalasë e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve me vendndodhjen e saj strategjike mbi luginën e Osumit.
Një kërkim i thjeshtë për Beratin në internet tregon se kisha është ndër objektet më të fotografuara nga të huajt në qytet.
Tashmë shtegu është hapur për vizitorët, i shtruar me kalldrëm deri tek portiku i kishës dhe mund të bëhet nga kushdo. Mund të arrihet edhe nga kalaja duke zbritur nëpër një shteg jo të shtruar.
Në fillim një monedhë tek kisha e Shën Mërisë që ndodhet në rrugë. Kisha në vetvete është e rrënuar, ka mbetur vetëm si vend i mirë për një lutje për këdo që kalon atypari.
Pjesa e parë e shtegut kalon në rrugicat karakteristike të lagjes Mangalem, tashmë të përshtatura për turistët që kanë mbushur qytetin prej vitesh. Shtëpitë karakteristike të ftojnë me portat e mëdha prej hekuri e druri, me lulet e mbjella në oborre, karriket dhe tavolinat e nxjerra për vizitorët.
Më pas nuk duhet shumë dhe ndërsa fiton lartësi, shfaqet rrugica e kishës. Pamja është spektakolare, Osumi me urat e tij poshtë, nga njëra anë Shpiragu me vraga dhe nga ana tjetër Tomori me majat e larta.
Gjatë shtegut përshëndetemi me turistë të shumtë që kanë marrë rrugën për të eksploruar kishën.
Te hyrja na pret kujdestari Luçi Meleqi. Ndërsa tregon brendinë e kishës shpreh keqardhjen që pothuajse gjithë afresket mesjetare bizantine që e mbulonin dikur tashmë kanë humbur.
Gjatë regjimit komunist, kisha arriti t’i mbijetonte valës së shkatërrimit të objekteve të kultit falë shpalljes Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1948.
Ky status vlerësoi arkitekturën unike pa mbështetje të brendshme (plan në formë kryqi) dhe pozicionin e saj të jashtëzakonshëm mbi shkëmb.
Tanimë brenda kishës ikonat dhe ikonostasi janë dhurata të qytetarëve të krishterë të Beratit. Kisha është restauruar dhe vizitohet jo vetëm për vlerat historike, por edhe për “Shtegun e Eremitëve”, i cili ofron një pamje si ballkon mbi lumin Osum dhe lagjen Goricë.
Shpellat e guvat e shumta natyrore që shihen edhe sot përgjatë shkëmbit ku ndodhet kisha gjatë periudhës mesjetare përdoreshin nga eremitët (murgj asketë). Ironike është që në kohët e trazirave këto guva u përdorën edhe nga persona me probleme me ligjin, kohë nga e cila ruhen mbishkrime në faqet e shkëmbit.
Luçin, kujdestarin e kishës e gjejmë me një libër, ndërsa nga biseda me të duket qartë kurioziteti dhe zelli për të mësuar sa më shumë rreth Beratit, kishave të tij, dhe për t’ua përcjellë atë turistëve.
Ai kujdeset që vizitorët të mos u afrohen shumë faqeve të shkëmbit të thiktë që qëndron në krah të kishës për shkak të gurëve që mund të bien nga lart, siç e tregon edhe një tabelë në anglisht.
Në përfundim të vizitës dhuron edhe degë rozmarine që i ka mbjellë vetë në oborrin e kishës.
Në anën tjetër të lumit, ka vende ku dallohen qartë qiparisët. “Kudo ku sheh të tillë, ke kisha”, thotë Luçi.
Ndërsa rihyn në rrugicat karakteristike të Mangalemit, lulet dhe portat e rënda me dru e hekur kontrastojnë duke krijuar një ndjesi që as nuk e përshkruan dot. Shtëpitë e gurta me dritare dhe ballkone të ngushtë ia lënë vendin njëra tjetrës ndërsa para shfaqet qyteti.
Berati tashmë është ndalesë e detyrueshme për të gjithë turistët që vizitojnë vendin, me arkitekturën e tij karakteristike osmane, Osumin mbi të cilin reflektohet qyteti, shtëpitë e kthyera në bujtina mikpritëse me baret e restorantet në rrugicat e tyre ku ofrohen pjata tradicionale.
Trashëgimia kulturore e historike e qytetit iu zbulohet vizitorëve përmes disa destinacioneve, ndër të cilat kisha e Shën Mëhillit dhe shtegu i Eremitëve me pamjet spektakolare ia vlejnë gjithmonë.


