“Po humbasim memorien e qyteteve”/ Lida Zeqo: Restaurimet me çimento po tjetërsojnë monumentet shqiptare
Trashëgimia kulturore shqiptare po përballet me ndërhyrje që rrezikojnë të humbasin autenticitetin e monumenteve historike.
Arkitektja dhe restauratorja Lida Zeko, e ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po kryhen disa restaurime, duke përdorur materiale moderne që nuk përputhen me teknikat origjinale të objekteve.
Sipas Zekos, ndërhyrjet pa kriter nuk dëmtojnë vetëm strukturën e monumenteve, por edhe kujtesën historike që ato mbartin. Një nga shembujt ku ajo ndalet është Amfiteatri i Durrësit, ku sipas saj përdorimi i tullave moderne dhe llaçit të çimentos ka cenuar karakterin e veprës antike.
“Kam gërmuar shumë vite në amfiteatër dhe kur shoh disa restaurime që janë bërë me tulla moderne, me llaç çimento, me gurë që nuk kanë qenë të teknikës së amfiteatrit, sa herë shkoj mërzitem. Restaurimi do profesionalizëm dhe dedikim”, u shpreh Lida Zeko.
Ajo kujtoi se në të kaluarën restaurimi i monumenteve kërkonte një kujdes të veçantë, ku çdo material prodhohej për t’iu përshtatur origjinalit. Tullat për restaurime bëheshin me të njëjtën baltë dhe dimensione si ato të lashtat, ndërsa shënoheshin për të treguar ndërhyrjen e kryer.
“Prodhoheshin tullat me të njëjtën baltë, me të njëjtat dimensione dhe pas tyre shkruhej Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe viti. Kështu pas shumë vitesh dihej që ajo nuk ishte tullë e vjetër, por një ndërhyrje restaurimi”, tregoi Zeko.
Sipas saj, mungesa e profesionalizmit po çon në një tjetërsim të objekteve historike, duke bërë që ato të humbasin identitetin e tyre.
“Është mungesë totale profesionalizmi. E tjetërson objektin dhe krijon diçka që nuk është më objekti. Duhet të ruhet autenticiteti i një vepre”, tha restauratorja.
Lida Zeko u ndal edhe te rëndësia e kujtesës urbane, duke sjellë shembuj nga qytetet shqiptare ku ndërtesat dhe hapësirat publike kanë qenë pjesë e historisë personale të brezave.
Ajo solli si model qytetin italian të Luccas, ku zhvillimi urban është ndërthurur me ruajtjen e gjurmëve historike.
“Nuk jam kundër zhvillimit, qytetet duhet të zhvillohen, por duhet të ruhet memoria. Në Lucca është ruajtur autenticiteti siç ka qenë. Nuk i ka shkuar askujt mendja të prishë ato ndërtime, por janë ruajtur”, tha Zeko.
Sipas saj, për çdo ndërhyrje në monumente të rëndësishme duhet të jenë pjesë e procesit arkeologët dhe restauratorët, në mënyrë që zhvillimi të mos vijë në kurriz të historisë.


