Gjysmë shekulli usta/ Këpucari nga Gjirokastra: Të rinjtë nuk kanë interes për zanatet

Në Gjirokastër shumë zanate po shkojnë drejt zhdukjes. Harrillaq Puci është këpucar prej më shumë se 50 vitesh por thotë se nuk ka kujt t`ja trashëgojë zanatin pasi të rinjtë nuk tregojnë interes.

Gjysmë shekulli e ka kaluar mbi këpucë.

Duke i riparuar ato e duke u kujdesur të plotësojë kërkesat e klientëve.

Harrillaq Puçi nga Gjirokastra e vijon punën me të njëjtin pasion e përkushtim si 52 vite më parë, kur e nisi atë.

“Kam ikur, kam vajtur në Greqi dhe hapa dyqan, këpucar edhe atje. Erdha prapë këtu, prapë këpucar. Dhe tani avash – avash do e mbyll dhe unë këtë punë”, thotë ai.

Vitet e fundit janë të paktë klientët që kalojnë pragun e punishtes së tij të vogël.

Thonë se fitimet janë të ulëta e të pamjaftueshme për të përballuar jetesën.

“Nuk ka shumë zanatçinj këtu. Unë jam më i vjetri këtu”, thotë Harrillaqi.

Zanatin e mësoi nga i ati. Harrillaqi sot në pension ndien keqardhje që nuk ka kujt t`ja trashëgojë. Tregon se të rinjtë nuk kanë interes.

“Do doja të kisha ndonjë djalë të ri që të fillonte punë, por e shikoj që ... nuk kemi gjë në terezi. Nuk ka interes”, thotë ustai.

Dyqanet e artizanëve dhe atyre që ushtrojnë zanate dikur shumë popullore janë duke mbyllur qepenat. Shkak mungesa e interesit nga të rinjtë por edhe politikave mbështetëse.

harrillaq puçi këpucë zanate

EMISIONET