“Të izoluar” nga autostrada/ Banorët e fshatrave përgjatë Levan-Tepelenë: Nuk shkojmë dot te tokat tona
Banorë të disa fshatrave përgjatë autostradës Levan Tepelenë, ankohen për mungesën e mbikalimeve pranë zonave të banuara dhe rrugëve dytësore, cka sipas tyre u krijon rrezik e vështirësi në jetën e përditshme!
Banoret e Kafarajt, Cakranit, Frakullit, Vreshtasit dhe Buzmadhit, ankohen se autostrada Levan Tepelenë i ka lënë në izolim.
“Këtu në këtë vend është shumë e nevojshme për të bërë një nënkalim”, thotë një banor.
“Tokat i kemi në të dyja anët e rrugës dhe e kemi shumë problem të dalim”, thotë banori tjetër.
“Jam 90 e ca vjeç dhe nuk kaloj dot. Po të kishte një mbikalim do kaloja pa frikë”, thotë i moshuari.
Thonë se kur u ndërtua rruga nuk u bënë mbi dhe nënkalime në këtë zonë, gjë që ua ka vështirësuar dhe rrezikuar jetën qytetarëve.
“Ja aty ku është rotondoja është një lapidar, se u vra në rrugë një”, thotë banori.
“Ja ai shoku ynë aty (duke referuar lapidarin) ka humbur jetën. Ka raste qe ndodhi 2-3 raste në muaj”, shprehet banori tjetër.
Edhe fermeët e kanë të vështirë të shkojnë në tokat e tyre, duhet të përshkojnë më shumë kilometra.
“Të gjitha mjetet bujqësore janë të detyruara të kalojnë mbi autostradë. Të gjithë ata që kanë bagëti, dele i çojnë në toka për të kullotur, janë të detyruar t’i kalojnë në austradë me vrap”, thotë banori.
“Ka pasur raste që rrinë edhe gjysëm ore duke pritur të kalojnë”, tregojnë banorët.
Banorët përgjatë aksit Levan - Tepelenë thonë se nuk e kanë kërkuar zgjidhjen e kësaj situate, por ankohen se askush nuk i ka dëgjuar!