Ekspertët: Kriza mjedisore dhe ndryshimet klimatike po ndikojnë në shëndetin e njeriut

Konferenca ndërkombëtare dyditore për shëndetin publik dhe mjedisin ka mbledhur në Akademinë e Shkencave studiues, ekspertë dhe përfaqësues institucionesh nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Veprimtaria organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (ASHSH) dhe Njësisë kërkimore “Pasuritë Ujore” (ASHSH), në bashkëpunim me Universitetin George Mason (SHBA) dhe kolegjin Ramazzini (Itali).
Edicioni i katërt i kësaj veprimtarie synon të promovoje dialogun shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shëndetit publik dhe mjedisit, duke adresuar ndikimin e cilësisë së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut.
Akademiku Besnik Bare, drejtues i njësisë kërkimore-studimore “Pasuritë ujore” e vlerësoi si të domosdoshme konferencën dhe përqendrimin e saj në sfidat aktuale që lidhen me cilësinë e mjedisit, ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vasil Tole, theksoi se qëllimi i përbashkët i konferencës është forcimi i kuptimit shkencor dhe bashkëpunimit për të përballuar sfidat globale që kërcënojnë shëndetin dhe mjedisin. Ai nënvizoi lidhjen e ngushtë mes cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të popullatave, duke theksuar se ndotja e ajrit e ujit, siguria ushqimore, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet e reja infektive nuk janë më çështje të izoluara, por problematika që kërkojnë përgjigje të koordinuara në nivel shkencor, institucional dhe shoqëror.
Ai theksoi se temat e trajtuara, si cilësia e ajrit, ujit, ushqimit dhe politikat e shëndetit publik, pasqyrojnë kompleksitetin e sfidave bashkëkohore dhe domosdoshmërinë e kërkimit ndërdisiplinor. Ai shprehu bindjen se prezantimet dhe diskutimet e konferencës do të gjenerojnë ide të reja dhe politika të afta për të përmirësuar cilësinë e mjedisit dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
Tole falënderoi veçanërisht prof. dr. Melissa J. Perry-n, dekanen e Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin George Mason (SHBA) për vizionin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme në avancimin e këtij partneriteti të rëndësishëm shkencor, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre.
Akademikja Anila Hoda, sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, në emër të Kryesisë, i dorëzoi prof. dr. Melisa J. Perry-t diplomën “Nderi i Akademisë”.
Prof. dr. Perry shprehu mirënjohje të thellë dhe shumë falënderime dhe më tej, ajo nënvizoi se Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm dhe është e natyrshme që të punojmë së bashku për të rritur ndërgjegjësimin për mjedisin dhe shëndetin në punë. Ajo vlerësoi rolin e konferencës, në ndërthurjen midis një mjedisi të shëndetshëm dhe një popullate të shëndetshme, si çështje që po merr vëmendje ndërkombëtare.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, falënderoi organizatorët dhe nënvizoi se kriza mjedisore dhe ndryshimet klimatike po ndikojnë thellësisht në shëndetin e njeriut. Mjedisi i shëndetshëm mund të parandalojë pothuajse një të katërtën e barrës totale të sëmundjeve.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, u shpreh se ndikimi i ndryshimeve mjedisore, urbanizimit dhe faktorëve socialë po bëhet gjithnjë e më i madh në shëndetin publik, ndërsa kërkimi shkencor mbetet mjeti më i fuqishëm për zgjidhje të qëndrueshme dhe të bazuara në fakte. Ai theksoi se lidhja midis mjedisit dhe shëndetit publik kërkon qasje multidisiplinare dhe bashkëpunim ndërmjet studiuesve, profesionistëve të shëndetësisë, biologëve, specialistëve të mjedisit dhe politikëbërësve.
Nga ana tjetër drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti e vuri theksin tek domosdoshmëria e ndërthurjes midis fushave të ndryshme dhe u shpreh se strategjia “One Health” duhet të shihet që nga burimi i problemeve, përfshirë ndikimin e mjedisit në ushqim dhe në shëndetin publik.
Gjithashtu specialistja në Ministrinë e Mjedisit, Klodiana Marika vuri në dukje bashkëpunimet ndërsektoriale dhe veprimet e integruara për cilësinë e ujit, ajrit dhe mbrojtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit.
Ajo nënvizoi se bashkëpunimi midis institucioneve qeveritare dhe atyre akademike është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme të bazuara në të dhëna shkencore, ndërsa monitorimi mbetet një element vendimtar për cilësinë e mjedisit dhe jetës së qytetarëve.
Konferenca vijoi me prezantimet e studimeve dhe punimeve shkencore nga studiues dhe ekspertë vendas e të huaj, të cilët paraqitën gjetjet, analizat dhe zhvillimet më të fundit në fushën e shëndetit publik, mjedisit dhe shëndetit në punë. Diskutimet u përqendruan në sfidat aktuale që lidhen me cilësinë e ajrit, ujit dhe ushqimit, ndikimin e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut, si dhe në qasjet dhe politikat e nevojshme për përballimin e këtyre sfidave.


