Haaland: Franca nuk më intereson, ndoshta na mundin dhe fitojnë Kupën e Botës

Haaland: Franca nuk më intereson, ndoshta na mundin dhe fitojnë

Pas dopietës që i siguroi Norvegjisë kualifikimin në fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës, Erling Haaland ka zgjedhur të mbajë këmbët në tokë përpara përballjes vendimtare me Francën.

Sulmuesi i Manchester City-it deklaroi se fokusi kryesor i Norvegjisë ishte sigurimi i kualifikimit dhe jo vendi i parë në grup, duke e konsideruar Francën favorite absolute jo vetëm për ndeshjen e radhës, por edhe për triumfin në turne.

“Për të qenë i sinqertë, nuk më intereson shumë ndeshja me Francën tani. Ne jemi kualifikuar. Kemi arritur të kalojmë grupin dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Kjo ndeshje nuk më shqetëson aq shumë. Ata ndoshta do të na mundin dhe ndoshta do ta fitojnë të gjithë turneun”, u shpreh Haaland për Fox Sports pas suksesit ndaj Senegalit.

Norvegjia po merr pjesë në Botërorin e saj të parë pas 28 vitesh, që nga edicioni i vitit 1998, dhe ka siguruar tashmë kalimin në fazën e eliminimit direkt, ku do të përballet me skuadrën që do të renditet e para në Grupin I.

Falë dy golave të fundit, Haaland është ngjitur në kuotën e katër golave në turne, duke barazuar Kylian Mbappé në vendin e dytë të renditjes së golashënuesve. Përpara tyre qëndron vetëm Lionel Messi me pesë gola. Në konferencën për shtyp, sulmuesi norvegjez theksoi krenarinë për arritjen historike të kombëtares së tij.

“Unë jam pjesë e diçkaje të veçantë dhe Norvegjia është pjesë e diçkaje të veçantë. Jam jashtëzakonisht krenar që jam norvegjez”, deklaroi ai.

I pyetur nga Reuters nëse Norvegjia mund të ëndërrojë fitimin e titullit botëror, Haaland dha një përgjigje të prerë dhe realiste.

“Le ta lëmë mënjanë plotësisht idenë e fitimit të Kupës së Botës. Ne jemi realistë dhe sot jemi të lumtur. Të gjithë norvegjezët në mbarë botën kanë arsye për të festuar”, përfundoi sulmuesi 25-vjeçar.

EMISIONET