Sot, në datëlindjen e At Arthur Liolit - Pasues i Nolit dhe lider shpirtëror i komunitet shqiptaro-amerikan

Më 19 qershor të vitit 1943 lindi At Artur Liolin, një nga personalitetet më të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë.
Prindërit e tij ishin nga Boboshtica e Korçës e rrjedhimisht ai e lidhi jetën ngushtë me rrënjët e tij shqiptare duke u bërë një nga vazhduesit më të rëndësishëm të trashëgimisë së Fan Nolit në Kryepeshkopatën Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
At Arthur Liolin u diplomua me rezultate të larta në Universitetin “Princeton” për Histori Arti dhe më pas u specializua për studime filozofike në Zvicër. Ai u shqua si klerik, intelektual dhe publicist.
Përveç shërbimit të tij si prift dhe kancelar i Kryepeshkopatës, ai dha një kontribut të çmuar për çështjen shqiptare përmes shkrimeve në gazetat e diasporës “Dielli”, “Liria” dhe “Illyria”, si edhe në gazetën shqiptare “Koha Jonë”, duke bashkuar zërin e diasporës me shtypin e lirë të Shqipërisë pas viteve ’90.
Pas rënies së regjimit komunist, ai vizitoi Shqipërinë, ku ndihmoi në ringjalljen e jetës fetare për besimtarët ortodoksë dhe forcoi lidhjet mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe atdheut./ATSH

