Bozdo: Formulë qeverisëse kundër shqiptarëve, krimi më i madh

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se prej më shumë se një dekade ka zgjedhur si formulë qeverisëse të veprojë kundër interesave të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, Bozdo u shpreh se përzierja e qeverisë me bosët e krimit është kryer me bekimin e vetë Ramës. 

Sipas demokratit, me protestat qytetare që po zhvillohen kundër qeverisë, po dëshmohet se projektit satanik të kriminalizimit të vendit, i ka ardhur fundi.

“Është dashur vetëm një javë për të provuar tashmë, pa asnjë mëdyshje, përpara shqiptarëve se formula qeverisëse e Edi Ramës, prej një dekade, është krimi më i madh kundër interesave të Shqipërisë. Kjo qeverisje është përzierja, me bekimin e tij, e njerëzve politikë të mazhorancës së tij, e bosëve të krimit të organizuar dhe e projekteve ekonomike, të ideuara nën siglën e investimeve strategjike, të paketuara si projekte zhvillimore dhe të financuara nga lumi i pafund i parave kriminale. Projektit satanik të kriminalizimit të shoqërisë dhe ekonomisë, më së fundmi, i ka ardhur fundi”,-tha Bozdo.

EMISIONET