Hita: Mjetet inteligjente evidentojnë shkeljet në kohë reale, ka mbaruar koha e “gjuetisë” së gjobave

Policia e Shtetit në bashkëpunim me European Association for Accident Analysis (EVU) organizuan një aktivitet sensibilizues për sigurinë rrugore.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, përfaqësues të EVU-së, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Kreshnik Bajraktari, ekspertë të fushës së sigurisë rrugore, përfaqësues të shoqërive të sigurimit, autoshkollave dhe institucioneve arsimore.

Në fjalën e tij, Hita theksoi se “siguria rrugore nuk është thjesht një sfidë institucionale. Ajo është një përgjegjësi e përbashkët, një detyrim moral dhe një garanci për jetën e çdo qytetari që lëviz në rrugë. Sot nuk jemi këtu për një aktivitet sensibilizues të radhës, por për diçka shumë më të shtrenjtë, për jetën. Çdo humbje jete në statistikat tona të aksidenteve nuk është thjesht një numër, është një jetë e ndërprerë në mes, është një familje e lënduar”.

Kreu i Policisë së Shtetit i bëri apel drejtuesve të automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorëve që të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, pasi sipas tij “rruga nuk është një pistë garash, por një hapësirë bashkëjetese ku përgjegjshmëria e secilit prej nesh përcakton nëse do të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi, te njerëzit tanë, ose jo”.

“Për të përmbushur një ndër prioritetet madhore të Policisë së Shtetit, siç është rritja e parametrave të sigurisë rrugore, dua të ndalem te një iniciativë e rëndësishme që kemi ndërmarrë në mënyrën se si e kontrollojmë qarkullimin. Koha e ndalimeve pa shkak apo e “gjuetisë” së gjobave ka mbaruar. Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin, fajtorin e përcakton teknologjia, jo intuita”, theksoi Hita.

Nëpërmjet mjeteve inteligjente, shtoi Hita, si pajisjet “Poliscan”, dronët e cilësisë së lartë dhe radarët automatikë, ne evidentojmë shkeljet në kohë reale pa ndërprerë rrjedhën e trafikut dhe pa krijuar stres të panevojshëm te drejtuesit e rregullt të mjeteve.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një policimi më profesional, më të saktë dhe më transparent, por, teknologjia nuk na shpëton dot nëse mungon vetëdija. Prandaj, gjej rastin t’iu bëj një thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që shpejtësia vret, mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë, duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë ose të mbërrini të gjymtuar, parakalimet e gabuara janë lojë me jetën, celulari në timon ju verbon për sekonda që mund të jenë fatale, dhe mbi të gjitha alkooli dhe substancat e tjera nuk kanë vend në timon. Kush drejton automjetin nën efektin e tyre, nuk po drejton një makinë, por një armë që rrezikon të vrasë jetën”, nënvizoi Hita.

Më tej Hita u ndal edhe tek edukimi i të rinjve.

“Mesazhet sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve janë thelbësore për të ndryshuar sjelljen në rrugë dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik. Një rol të veçantë në këtë proces ka bashkëpunimi me institucionet arsimore. Nxënësit dhe të rinjtë janë brezi që formëson kulturën e ardhshme të qarkullimit rrugor, ndaj edukimi i tyre që në moshë të hershme është investimi më i rëndësishëm për një Shqipëri më të sigurt”, tha Hita.

Hita vuri në dukje se “as Policia e Shtetit dhe as teknologjia inteligjente nuk mund ta fitojnë këtë betejë pa kontributin e të gjithëve. Siguria rrugore është kontribut i këmbësorëve, që duhet të respektojnë vijat e bardha dhe mbikalimet, i drejtuesve të motomjeteve që duhet të vendosin kaskën, dhe i drejtuesve të automjeteve që të respektojnë përparësinë në lëvizje dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Gjithashtu është kontribut i autoshkollave, që nuk duhet të nxjerrin në rrugë thjesht njerëz me patentë, por shoferë të përgjegjshëm”.

“Duke bërë secili pjesën e vet, duke ndarë eksperiencat më të mira sensibilizuese, si kjo e sotmja me EVU-në, dhe duke rritur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me qytetarët, do të kemi rrugë më të sigurta dhe më shumë jetë të shpëtuara”, tha Hita.

EMISIONET