Dialog serioz pa kushte / Gërvalla kërkon të hiqet dorë nga mentaliteti bllokues në Kosovë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se subjektet politike në Kosovë duhet të zhvillojnë një dialog serioz për të ardhmen institucionale, duke lënë pas "mentalitetin bllokues" dhe praktikat që çojnë në zgjedhje të panevojshme.
Duke iu referuar proceseve të kaluara për çështjen e presidentit, ajo kujtoi se ato zgjedhje nuk sollën ndonjë ndryshim të madh politik në kuvend.
Gërvalla theksoi se hapat e ardhshëm do të diskutohen fillimisht brenda koalicionit qeverisës dhe më pas me opozitën, duke pritur aktualisht certifikimin e rezultateve ku "fituesi tashmë po shihet". Ajo kërkoi që negociatat të zhvillohen drejtpërdrejt mes palëve dhe jo përmes mediave, duke kritikuar qasjen e opozitës për vendosjen e kushteve paraprake.
Ndër të tjera, e pyetur për projektet e gazit amerikan, ajo shtoi se qeveria mban diskutime të vazhdueshme për tema të sigurisë dhe energjisë me të gjithë aleatët ndërkombëtarë./RTK

