“Koha e deduksioneve mbaroi”/ Meta: Do të kërkojmë edhe 100 dëshmitarë të tjerë për gjyqin në GJKKO

Ish-presidenti Ilir Meta, ka reaguar sot, pasi në seancën që u zhvillua dje në GJKKO, avokati i tij Kujtim Cakrati kërkoi thirrjen e rreth 100 dëshmitarëve.
Siç shprehet Meta përmes një reagimi, në proces do të kërkohen edhe 100 dëshmitarë të tjerë, mes së cilëve edhe 40 shtetas të huaj.
Meta shtoi se ky hap do t’i japë fund deduksioneve, për të vijuar me hetime të tjera pas dëshmive që lidhen me çështjen CEZ-DIA.
“Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet! Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre superkallëzuesit.
Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI-në.
Ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis.
Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive”,-shprehet Meta.


