Absolutizmi i mëshirës. Sekondat që sfiduan fikjen e një jetë, për t'u shndërruar në monument të foto-gazetarisë

Absolutizmi i mëshirës. Sekondat që sfiduan fikjen e një

​Po, është një foto. Një moment drithërues. Jeta ndeshet me të papriturën, dhimbja është ritmi në këtë puls të gjëmimshëm. Guximi, zemra dhe shpirti janë vetë drama. Koha që ndërsen me çmenduri, ul siparin. Por nuk përfundon këtu çasti i stampuar në celuloid. Ai është histori.

​Kjo është një nga ngjarjet më monumentale të fotogazetarisë botërore, e cila i dha autorit Çmimin Pulitzer në vitin 1963.

​Në mes të një rruge të shndërruar në thertore dhe fushëbetejë, ku ajri digjej nga plumbat, një prift u gjunjëzua aty ku as vetë vdekja nuk do të kishte guxuar të qëndronte pa u dridhur.

​Puerto Cabello, Venezuelë, 2 qershor 1962.

​Gjatë kryengritjes së përgjakshme ushtarake të njohur si El Porteñazo, qyteti u kthye në një kurth të gjallë. Kishte vetëm tym, krisma, ulurima rebelësh, ushtarë të tmerruar dhe civilë që zvarriteshin pas mureve për t’i shpëtuar një dhune që hante çdo cep rruge, nga njëra lagje në tjetrën. Në mes të këtij kaosi apokaliptik, fotografi venezuelian Héctor Rondón Lovera shtrëngoi aparatin e tij dhe shkrepi jo thjesht një foto, por një nga dëshmitë më rrëqethëse dhe universale të shekullit XX.

​Ajo skenë ngriu në kohë kapelanin detar, Luis María Padilla, duke mbajtur në krahë një ushtar të plagosur për vdekje në mes të asfaltit të zhveshur.

​Ushtari i shtrirë kapet pas veladonit të priftit me thonjtë dhe forcat e fundit të jetës. Është shtrëngimi i dëshpëruar i dikujt që kapet pas fijes së fundit të dritës, kur trupi nuk i përgjigjet më, kur gjaku po i ikën mbi gurë dhe e gjithë bota duket se po shembet me rrapëllimë mbi krye.

​Në atë imazh nuk ka solemnitet katedralesh. Nuk ka altar të praruar, as temjan, as heshtje të shenjtë mistike. Janë vetëm ata të dy, si një shtatore midis plumbave që fërshëllejnë mbi kokat e tyre, erë baruti e gjak i ngrohtë, frikë e zhveshur, dhe një prift si altar i gjallë që mban një njeri që po jep shpirt, duke i falur të vetmen gjë që i duhej në atë sekondë: ngushëllimin se nuk ishte i braktisur.

​Kjo është arsyeja pse kjo fotografi të hyn si thikë në mish.

​Besimi dhe feja këtu nuk shfaqen si një ceremoni e ftohtë e të dielave, por si një prani e gjallë dhe e mishëruar. Si një dorë prej mishi e gjaku që të mban fort në pragun e amshimit. Si një njeri që refuzon të vrapojë apo të fshihet për të shpëtuar lëkurën e tij, ndërsa të tjerët struken pas mureve. Ky është një gjest i pastër njerëzor në një territor ku çdo gjë njerëzore dukej se kishte vdekur para kohe.

​Héctor Rondón do të rrëfente më vonë se as vetë nuk e dinte se si kishte qëndruar në këmbë për ta bërë atë fotografi midis asaj breshërie të çmendur plumbash. Ndoshta prandaj ajo fotografi mbeti e shenjtëruar në historinë e njerëzimit. Sepse ajo nuk është e skenuar. Nuk ka poza. Nuk ka drita të llogaritura. Ajo duket si një pjesëz e shkulur me dhunë nga kthetrat e luftës, pikërisht në atë fraksion sekonde kur dhembshuria çau rrugën mes vdekjes për të thënë fjalën e fundit.

​Kryengritja u shtyp brenda pak ditësh dhe historia zyrtare e arkivoi atë si një ngjarje tjetër politike, por ky imazh bëri të kundërtën: ia kaloi lajmit, ia kaloi kohës.

​Ajo fitoi Çmimin Pulitzer dhe World Press Photo, duke u kthyer në ikonën absolute të fotogazetarisë botërore. Jo sepse tregonte triumfin e një pale, jo sepse glorifikonte një udhëheqës apo sepse tregonte muskujt dhe tanket e një ushtrie.

​Ajo mbeti në histori sepse tregoi një qenie njerëzore që refuzoi ta linte tjetrën të vdiste në vetmi, atëherë kur gjithçka rreth tyre ishte bërë thërrime.

​Në analet e luftërave, shumica e fotografive mbeten të lidhura me tmerrin, masakrën dhe shkatërrimin. Edhe kjo foto mban vulën e tragjedisë. Por brenda saj fshihet një kod gjenetik shpirti, një rezistencë e vogël, por e pamposhtur morale. Ajo është prova e gjallë se, madje edhe në mes të një qyteti të pushtuar nga flakët dhe urrejtja, mund të gjendet ende një shpirt i gatshëm të ecë drejt dhimbjes së tjetrit, pa pyetur për çmimin.

​Fotografia nuk i ndali dot plumbat e asaj dite. Ajo nuk e ndryshoi bilancin e viktimave të asaj lufte.

​Por ajo la pas një të vërtetë universale që peshon rëndë edhe sot mbi ndërgjegjen tonë: kur dhuna e çmendur i zhvesh qeniet njerëzore nga identiteti i tyre dhe i kthen thjesht në uniforma, numra, kampe apo armiq për t'u asgjësuar, një gjest i vetëm dhembshurie mjafton për t'u rikthyer atyre fytyrën njerëzore.

​Dhe në atë rrugë të pluhurosur të Puerto Cabellos, ndërsa Venezuela po digjej nga brenda, një prift rroku në krahë një ushtar të panjohur, duke u përkulur mbi të sikur i gjithë fati i botës të varej nga një mision i vetëm: të mos e linte atë njeri të kalonte i vetëm në matanësinë e jetës.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET