REPORTAZHI/ ”SiViaggia”: Një kështjellë mbi ujë, kalaja e Ali Pashës simbol i historisë shqiptare

Sapo hyn në kalanë e Ali Pashës, një fortesë e vogël e vendosur mbi një ishull në grykëderdhjen e kanalit të Vivarit, në zemër të Parkut Kombëtar të Butrintit duket sikur hyn në një faqe historie, histori prekëse e një populli të mrekullueshëm, shkruan faqja e njohur italiane siviaggia.it.
Ndodhemi në Shqipëri, në një pjesë të vendit ku natyra e bën gjithçka edhe më të veçantë: nga njëra anë shtrihet Liqeni i Butrintit, nga ana tjetër Deti Jon, ndërsa përballë syve hapet Ngushtica e Korfuzit.
Në thelb, kushdo që kontrollonte këtë rrip ujor kishte mundësinë të mbikëqyrte hyrjen drejt liqenit, aktivitetin e peshkimit, lëvizjen e anijeve tregtare dhe manovrat ushtarake përgjatë një prej rrugëve më të rëndësishme të Mesdheut Lindor.
Në këtë kontekst, kalaja paraqitet si një ndërtesë kompakte, e integruar në mënyrë të përkryer me peizazhin përreth. Guri i çelët, muret e fuqishme dhe kullat dalin natyrshëm nga gjelbërimi, sikur të kishin qenë gjithmonë pjesë e lagunës.
Emri i saj lidhet me Ali Pashë Tepelenën, një nga figurat më me ndikim në Ballkan mes fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX.
Ishte pikërisht ai që e shndërroi këtë strukturë në një pikë të rëndësishme ushtarake për kontrollin e hyrjes në Liqenin e Butrintit, duke lënë një gjurmë që edhe sot është qartësisht e dukshme.
Historia e shkurtër dhe legjendat e Kalasë së Ali Pashës

Origjina e kalasë është më e hershme se vetë Ali Pasha. Struktura e parë u ndërtua gjatë sundimit të Republikës së Venedikut, sipas disa burimeve mes fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI, ndërsa sipas studimeve më të fundit arkeologjike ajo daton mes shekujve XVII dhe XVIII.
Në të dyja rastet, funksioni i saj mbeti i njëjtë: mbrojtja e interesave veneciane në zonën e Butrintit, e pasur me burime natyrore, ullishte, kullota dhe aktivitete peshkimi.
Në atë kohë, kjo zonë përfaqësonte një portë të rëndësishme hyrëse drejt Korfuzit, i cili ishte nën sundimin venecian që prej vitit 1386. Një shtëpi e thjeshtë e fortifikuar ruante kanalin, duke mbrojtur pronarët e tokave dhe duke kontrolluar ujërat përreth.
Fati i saj ndryshoi rrënjësisht në vitin 1804, kur, pas rënies së Republikës së Venedikut dhe një periudhe të shkurtër nën francezët, Ali Pasha pushtoi zonën dhe e përfshiu atë në territorin e gjerë që administrohej nga Janina.
Ambicioz, diplomat i aftë dhe strateg i shkëlqyer ushtarak, ai e shndërroi ndërtesën e vogël veneciane në një fortesë të mirëfilltë.
Kërkimet arkeologjike kanë identifikuar të paktën katër faza zgjerimi gjatë sundimit të tij. Muret u ngritën më lart, u ndërtuan kulla më masive, mbrojtja u përforcua me bastione të pjerrëta dhe u vendosën bateri topash të drejtuara nga gjiri dhe hyrja e kanalit.
Edhe godina qendrore mori një kat shtesë, ndërsa ambiente të reja plotësuan oborrin e brendshëm. Brenda pak vitesh, një ndërtesë modeste bujqësore u shndërrua në një makinë të vërtetë mbrojtëse, e projektuar për t’u bërë ballë sulmeve detare.
Vrasja e Ali Pashës në vitin 1822 shënoi edhe fillimin e rënies së fortesës. Pa mbështetësin e saj kryesor, ajo humbi gradualisht rëndësinë strategjike.
Disa pjesë u degradua, të tjera u përshtatën për nevojat e peshkatarëve vendas, ndërsa vegjetacioni rifitoi dalëngadalë hapësirat.
Rreth figurës së Ali Pashës janë krijuar edhe shumë legjenda. Kronikat popullore e përshkruajnë si një njeri njëkohësisht të pamëshirshëm dhe të kulturuar, të aftë të alternonte fushatat e ashpra ushtarake me interes të sinqertë për artin, arkitekturën dhe tregtinë.
Nofka “Luani i Janinës” dëshmon edhe sot karizmën që ai ushtroi në të gjithë rajonin ballkanik.
Si zhvillohet vizita dhe çfarë mund të shihni

Vetë udhëtimi për të arritur në këtë cep të veçantë të Shqipërisë është pjesë e përvojës. Duke qenë se kalaja ndodhet mbi një ishull, nuk ka rrugë që të çojnë drejtpërdrejt deri te muret e saj.
Duhet një udhëtim i shkurtër me varkë përmes kanalit të Vivarit, i cili ofron pamje gjithnjë e më të bukura të lagunës dhe natyrës së Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gjatë lundrimit shfaqet një mjedis me vlera të jashtëzakonshme natyrore: ujëra të njelmëta, kallamishte, pyje mesdhetare dhe shumë lloje shpendësh krijojnë sfondin e një prej zonave të mbrojtura më të rëndësishme të Shqipërisë.
Sapo zbret në ishull, kalaja shfaq gjithë thjeshtësinë dhe forcën e saj. Muret e jashtme ruajnë ende trashësinë e madhe të projektuar për t’i rezistuar goditjeve të artilerisë, ndërsa kullat tregojnë qartë fazat e ndryshme të ndërtimit dhe zgjerimet e urdhëruara nga Ali Pasha.
Ndërtesa qendrore ruan ende planimetrinë origjinale të shtëpisë së fortifikuar veneciane. Arkeologët besojnë se një nga ambientet e katit përdhes lidhej drejtpërdrejt me ujin dhe shërbente si një port i vogël i fshehtë, ideal për hyrjen e një varke larg syve të të tjerëve.
Brendësia ka pak elemente dekorative, një tipar karakteristik i një ndërtese të projektuar kryesisht për qëllime ushtarake. Pikërisht kjo thjeshtësi e bën më të lehtë të imagjinosh jetën e garnizonit, mes turneve të rojës, mirëmbajtjes së mbrojtjeve dhe kontrollit të vazhdueshëm të anijeve që kalonin nëpër kanal.
Një pjesë e madhe e magjisë së këtij vendi vjen edhe nga peisazhet panoramike. Nga muret e kalasë dallohen qartë Liqeni i Butrintit, gryka e kanalit, peizazhi i gjelbër i parkut kombëtar dhe, në ditët me mot të kthjellët, bregdeti i ishullit grek të Korfuzit.
Vetëm pak metra ndajnë dy shtete, dy kultura dhe një histori të përbashkët të ndërtuar ndër shekuj nga tregtia, konfliktet dhe takimet mes popujve.
Ata që kanë kohë mund ta vazhdojnë vizitën duke eksploruar edhe qytetin antik të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i pasur me dëshmi të qytetërimeve greke, romake, bizantine dhe veneciane.
Ku ndodhet dhe si të shkoni

Kalaja e Ali Pashës ndodhet në Parkun Kombëtar të Butrintit, në jug të Shqipërisë, vetëm pak kilometra në jug të Ksamilit dhe rreth 20 kilometra nga Saranda. Ishulli ku ngrihet kalaja ndodhet në grykëderdhjen e kanalit të Vivarit, kalimi natyror që lidh Liqenin e Butrintit me Detin Jon.
Rruga më e lehtë nis nga Saranda përgjatë aksit SH81 në drejtim të Butrintit. Pas rreth 30 minutash mbërrini në parkimin pranë hyrjes së parkut arkeologjik.
Pikërisht aty, disa varkëtarë organizojnë kalime të shkurtra drejt kalasë; udhëtimi zgjat vetëm pak minuta.
Ata që preferojnë transportin publik mund të përdorin autobusët që lidhin Sarandën me Butrintin, të cilët qarkullojnë shpesh gjatë sezonit turistik.
Pasi të mbërrini pranë hyrjes së parkut, pika e nisjes së varkave ndodhet vetëm pak hapa larg. Hyrja në kala është falas, ndërsa pagesa kërkohet vetëm për shërbimin e transportit me varkë.




